E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelsi-Barcelona, magjia vazhdon...



Do të jete sfida e “Stamford Bridge”, që do të vendosë nëse finalja e Champions League do të jetë sërish një derbi i gjithi anglez. Pas rezultatit 0-0 në ndeshjen e vajtjes, Çelsi e Barcelona do të luajnë një ndeshje pa asnjë kalkulim paraprak.
Londinezët u mjafton çdo lloj fitoreje, ndërkohë që katalansve u mjafton çdo lloj barazimi me gola, për të mos kaluar më pas në kohën shtesë e në serinë e gjuajtjeve të penalltive. Sfida shihet gjerësisht si një duel midis futbollit pragmatist e rregullit taktik të Hidinkut dhe “tredhëmbëshit” të mrekullueshëm të vendosur në fushë nga Pep Guardiola, agresiviteti kundër fantazisë. Çelsi, tashmë jashtë lojës për fitimin e Premier League, dëshiron të shpëtojë sezonin me fitimin e kupës më “veshë të mëdhenj”, Barcelona pas fitimit të La Ligës spanjolle, ëndërron fitimin e Champions dhe Kupën e Mbretit për të realizuar një “tris” historik. Dy skuadrat janë përballur tashmë tri herë në sfidat me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve. Barcelona ka dominuar dy herë, ndërsa Çelsi vetëm një herë. Dy ekipet janë përballur edhe në fazën e grupeve në sezonin 2006-2007.
Tieri Henri është në grupin e 21 lojtarëve të Barcelonës për ndeshjen e kthimit kundër Çelsit (0-0 ndeshja e parë në “Kamp Nou”). Trajnerit Pep Guardiola do t’i mungojë Karles Pujol (i pezulluar) si dhe Rafael Markez e Gabriel Miliot, të dëmtuar.
Tieri Henri u dëmtua në gju gjatë ndeshjes kundër Realit të Madridit (të fituar 2-6), por kapiteni i Francës u rikuperua në kohë. Çelsi zuri një vend në gjysmëfinale pas një “trileri” në çerekfinalet kundër Liverpulit, duke fituar 7-5 në rezultatin e përgjithshme kundër formacionit të Benitezit: 3-1 jashtë, 4-4 në shtëpi. Më përpara blutë e Londrës mundën Juventusin 3-2 në rezultatin e përgjithshëm: 1-0 në shtëpi, 2-2 jashtë. Çelsi zuri vendin e dytë në grup: 3 fitore, 2 barazime, 1 humbje. Barcelona avancoi në gjysmëfinalen e tretë në katër sezonet e fundit, pas një rezultati të përgjithshëm 5-1 në çerekfinale kundër Bajernit të Munihut (4-0 në shtëpi, 1-1 jashtë). Më parë kishte mundur Lionin me rezultatin e përgjithshëm 6-3 (1-1 jashtë, 5-2 në shtëpi. Në fazën e grupeve Barcelona doli në vendin e parë, duke pasur këtë bilanc: 4 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›