Berisha: Me PD-në në 8 maj, për një të ardhme më të mirë

Kryeministri Sali Berisha vijoi të dielën pasdite takimet elektorale në Fushë-Mbret të Elbasanit, ndërsa prezantoi Durim Hushin, si kandidatin e koalicionit "Aleanca për qytetarin".
Gjatë fjalës së tij, kryeministri kërkoi që të votohet për kandidatin Hushi në datën 8 maj, pasi sipas tij, do të ndërtohet e ardhmja e të gjithë qytetarëve, ndërsa ëndrra më e madhe, lëvizja pa viza, përbën çekun, ku çdo person e dëshironte.
Më tej, shefi i qeverisë ndërsa paraqiti platformën për Elbasanin, deklaroi se gjatë 4 viteve të ardhshme, do të ndërtohen e rindërtohen rrugë dhe shkolla, ndërsa rritja ekonomike mbetet prioritet.
“Katër vite që do vijnë të shumëfishojmë investimet në këtë qytet të mrekullueshëm. Brënda ditësh inagurojmë fillimin e rrugës të autostradës Tiranë-Elbasan. Në Elbasan në këtë qark, katër vite që shkuam ne kemi ndërtuar 400 klm rrugë, por ju garantojë se gjatë viteve do të ndërtojmë rrugë të tjera, çdo shkollë, kanalizime, qëndra shëndetësore, për një Elbasan të zhvilluar. Alternativa jonë është alternativa që ka epiqëndër ju, rrugët tuaja, shkollat për fëmijët, ujësjellës, kanalizime, punësimin tuaj. Në të katër anët, infrastruktura po ndryshon me shpejtesi, ne nuk do lëmë zonë turistike pa e bërë disponibël për ju”.
Qarku industrial do njohë shndërrime të reja, do ketë investime në energjetikë, në fushën e hidrocentraleve”, tha Berisha.
“Alternativa e rrugës së vetme që ka një shprehje të vetme bllokimin e çdo reforme, ligji dhe projekti që ju intereson juve është alternativa e zotit Rama”, u shpreh kryeministri duke hedhur akuza të ndërsjellta ndaj kryesocialistit Edi Rama.