E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me Ramën pi kafe kur të dojë, por ai nuk e njeh ligjin më mirë se Damiani

Share

Kryeministri acarohet pse Rama e quajti Ristanin vrasës të zgjedhjeve e thotë se kreu i PS po i përgjigjet ofertës për një president konsensual me një fjalor të tejkaluar para 20 vitesh

Kryeministri që nuk ka lënë sharje e fyerje pa nxjerrë nga goja publikisht, u shfaq në mbledhjen e kryesisë së partisë së tij i acaruar pse Edi Rama pak më herët kishte deklaruar se Arben Ristani është killer i zgjedhjeve. Berisha tha se ofertës së PD për bisedime për një president konsensual, Rama i përgjigjet me akuza me një fjalor të tejkaluar para 20 vitesh.

Zoti Rama kërkesës sonë po i përgjigjet me një tiradë akuzash, që fshehin vullnetin e tij të palëkundur për të bllokuar procesin e integrimit. Ne u angazhuam në një proces historik në vitin 2008. Natyrisht ne patëm parasysh dhe krijuam gjithë mundësinë që kryetari i këtij shteti të gëzojë mbështetjen më të gjerë të mundshme kur ajo mund të arrihet, tha Berisha.

Oferta jonë është që të zgjedhim me konsensus presidentin dhe të vijojmë me reformat. Shqiptarët nuk kanë nevojë për fjalime dhe retorika boshe. Ai tha se nesër nuk votohet, nis kriza. E ka parashikuar Kushtetuta, edhe po nuk u votua, quhet raund i kaluar. Prandaj mos përdor retorikën për të fshehur atë që synon, bllokimin e reformave. Shqiptarët nuk kanë nevojë për retorikë, kanë nevojë për vepra. Nuk kanë nevojë për një fjalor të tejkaluar përpara 20 viteve, vijoi kryeministri.

Duke komentuar faktin se pse nuk takohet me Ramën, Berisha tha se me Ramën pi kafe, por negociatat i bëjnë ekspertët.

Ja u ula unë me të, pse çfarë pretendon ai, që e njeh më mirë se Damianin doktrinën elektorale. Ne përcaktojmë një kornizë, disa parime. Ne nuk jemi njerëzit e veçantive, sepse ajo është një doktrinë, doktrina elektorale është doktrinë e të drejtës.

Për të pirë kafe me mua, le të pijë kur të dojë. Takohemi, por çfarë zgjidhemi? Ne jemi për të zgjidhur, jo për të bërë show, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›