E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhezair Zaganjori, avokat i Berishës, kandidat i shumicës për president

Share

Xhezair Zaganjori është kandidati i mazhorancës për president. Aktualisht ai është anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i propozuar nga PD-ja. Pas një takimi të tretë mes kryetarëve të partive të opozitës, është arritur në përfundimin se ky emër do paraqitet nesër në Komisionin e Ligjeve. Emri i Zaganjorit do i paraqitet opozitës në një takim që do zhvillohet mes kreut të grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi dhe homologut të tij në PS, Gramoz Ruçi.

Kush është Zaganjori

Zaganjori është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Pas fitores së Partisë Demokratike në vitin 1992, ai u emërua ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Pas ardhjes së socialistëve në pushtet në vitin 1997, pushohet nga puna si diplomat dhe kthehet në Tiranë. Ai u atashua pranë Partisë Demokratike dhe shërbeu si avokat i Berishës dhe konsulent ligjor i tij për disa procese gjyqësore. Në vitin 1999 refuzoi kërkesën e Pollos për tu bashkuar me të kundër Berishës dhe qëndroi në anën e Berishës duke shërbyer shpeshherë dhe si ndihmës për probleme ligjore në PD. Pas paqes Berisha- Nano në vitin 2003, ai u zgjodh si i propozuar nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Në të gjitha votimet e tij, ai ka votuar pro qëndrimeve të PD, dhe kur ka qenë në pakicë, dhe në shumicë. Së fundmi ai votoi pro Topallit dhe kundër Topit.

Qëndrimi i PS

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në Vizion Plus deklaroi se konsensusin duhet ta ofrojë mazhoranca. Nuk ka kuptim që konsensus të ofrojë opozita, tha ai. Megjithatë mazhoranca duket se ka vendosur që të veprojë e vetme. Ajo që ka gëzuar më shumë PD-në duket se ka qenë fakti se Ilir Meta do qëndrojë në krahun e tyre. Ka qenë vetë kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, i cili duke folur për emisionin Pesë pyetjet e Babaramos tha se lajmi që ka dalë nga këto takime është se mazhoranca është solide. Ai tha se në këto momentet mazhoranca i ka votat për president kushtetues.

Mundësia që tre krerët e shtetit të jenë mbi Drin

Në rast se Xhezair Zaganjori do të zgjidhet si president, atëherë shqiptarët do kenë në krye të shtetit jo vetëm tre drejtues mbi lumin Shkumbin, por edhe mbi lumin Drin. Kryeministri është nga Tropoja, ndërkohë që kryetarja e Kuvendit dhe presidenti do jenë nga Shkodra. Nuk është çudi që nga ky qytet erdhi fillimisht lajmi se Xhezair Zaganjori do ishte kandidat për president. Në Tiranë pakkush e dinte se emri i tij po diskutohej, kur në Shkodër e dinin se Zaganjori do ishte në krye të shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›