E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me këto investime, do të ngrihen projektet më të rëndësishme të Tiranës së 90 viteve të fundit

09-05-2013 / Gazeta 55

Dekretohet kredia prej 64 milion dollarësh e Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila do të përdoret për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. “Rritja e pagave dhe pensioneve, jo për efekt elektoral, por si politikë konstante e kësaj qeverie”

Këshilli i Ministrave miratoi dje kredinë prej 64 milion dollarësh të Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila do të përdoret për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Duke e vlerësuar këtë kredi me një impakt historik për vendin, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj Presidentit, kryeministrit dhe qeverisë së Emirateve te Bashkuara për gatishmërinë dhe shpejtësinë me të cilën proceduan për dhënien e kësaj kredie. Kryeministri tha se falë kësaj ndihme “do të ndërtohet gjysma e bulevardit që pret të ndërtohet që nga themelimi i Tiranës moderne sepse ai bulevard ka ekzistuar në projektin e saj dhe ajo që është po kaq e rëndësishme është se lumi i Tiranës, një lumë që është përdorur për çdo gjë tjetër, por jo për interesin e qytetarëve të qytetit, tani do të shndërrohet në një prej zonave me rekreative dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv”. “Pra, ndonëse ju e keni firmosur draftin, mendova se edhe publiku të informohet edhe njëherë direkt se këto 64 milion dollarë janë të gjithë të përkushtuara bulevardit të ri dhe sistemimit të lumit të Tiranës, çka përbën zhvillimin më të rëndësishëm për këtë qytet në 80 apo 90 vitet e fundit”- u shpreh Berisha. Gjatë kësaj mbledhje, kryeministri anoncoi edhe një tjetër lajm pozitiv për vendin, anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në iniciativën e transparencës financiare të industrive nxjerrëse. Kjo iniciativë është themeluar nga Toni Bler dhe në të bëjnë pjesë një grup i vendeve të pasura në miniera dhe lëndë nëntokësore. Ajo bazohet në disa principe themelorë që duhen respektuar të cilat janë transparenca financiare, bashkëpunimi i ngushtë me komunitetin dhe respektimi dhe mbrojtja e mjedisit. Kryeministri bëri me dije se lufta që është bërë kundër korrupsioni, përdorimi i një sërë metodash që rrisin transparencën, bënë që Shqipëria të rekomandohet për anëtar në iniciativën e transparencës së industrive nxjerrëse. “Ka dhe një lajm tjetër pozitiv për Shqipërinë. Presidentja e iniciativës së transparencës financiare të industrive nxjerrëse, iniciativë kjo e themeluar nga Toni Bler dhe ku bëjnë pjesë një grup i vendeve të pasura në miniera dhe lëndë nëntokësore, iniciativë kjo që bazohet në disa principe themelorë që duhen respektuar dhe në këto principe është transparenca financiare, bashkëpunimi i ngushtë me komunitetin dhe respektimi dhe mbrojtja  e mjedisit.
Kjo organizatë që u krijua në kombet e bashkuara ndihmon vendet anëtare, sikundër kërkon nga këto vende respektimin e disa kushteve dhe kritereve, që janë standardet më të mira të shfrytëzimit të mineraleve, të naftës dhe të gazit dhe përpjekjes që banorët e zonave të jenë edhe ata përfitues të tyre sikundër të ketë transparencë të plotë të kompanive që i shfrytëzojnë. Kjo është një histori disavjecare. Në vitin 2010 është bërë vlerësimi i parë, ne kemi ngritur sekretariatin dhe një grup pune për të cilën zonja ish ministre në kabinetin e ish kryeministrit Bler dhe kryeministrit  Gordon Broën, e cila e kryeson këtë iniciativë, shpreh vlerësimin më të  lartë për grupin e punës në Shqipëri, punën serioze që ata kanë bërë ndërkohë që informon se bordi ka vendosur ti akordojë Shqipërisë anëtarësi të plotë në këtë iniciativë, sikundër paraqet një seri çështjesh që Shqipëria duhet ti ketë në qendër të vëmendjes për vitet që vijnë, pasi anëtarësimi nuk është i dhënë njëherë e përgjithmonë. Anëtarësimi në këtë organizatë mbahet vetëm duke mbajtur standardet e transparencës”.

Pagat e Pensionet
Kryeministri garantoi dje se pavarësisht se vendi ndodhet në prag fushate, qeveria do vijojë rritjen e pagave dhe pensioneve sipas parashikimeve të bëra. Berisha kërkoi që vendimi mbi pagat dhe pensionet të mos etiketohet si rritje elektorale. “E vërteta është se motorët e ekonomisë shqiptare po funksionojnë me tendence për të marrë shpejtësi të reja”, u shpreh kryeministri në mbledhjen e qeverisë, teksa bëri të ditur lajmin se mediat botërore ekonomike informojnë se eksportet në Shqipëri rriten si 4 mujor me një rritje prej 17 % krahasuar me vitin e kaluar, kurse inflacioni ka një rënie krahasuar me vitin e kaluar. Në këtë kontekst kryeministri konkludoi se “treguesit tërësor janë qartësisht më mirë se në të njëjtën periudhë të viti të kaluar dhe një përmirësim, progresiv i këtyre treguesve, çka tregon se reformat kanë qenë dhe janë mbrojtëse dhe seria e dytë e tyre që u ndërmor gjatë këtyre muajve, nuk është se ka filluar efekti i tyre, përkundrazi efekti i tyre do të jetë pakësim në të ardhurat buxhetore por ky pakësim garantoi të 540 mijë pensionistët shqiptarë dhe të gjithë punonjësit e administraëts se nuk do të ndryshojë qëndrimin tonë në rritjen e parashikuar të rrogave dhe pensioneve”. Kryeministri theksoi se kjo rritje do të realizohet tërësisht sipas parashikimit dhe premtimit pa patur as edhe një qëllim elektoral.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›