E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Merrni pjesë në votime, 8 maji është prova e lirisë

Hetim të imtësishëm për 21 Janarin dhe ftesë për të marrë pjesë masivisht në zgjedhjet lokale të 8 Majit. Këto ishin dy mesazhet e dhëna dje nga Kryeministri Sali Berisha, i cili ishte i pranishëm në inaugurimin e Qendrës së re të Informimit të Bashkimit Europian, në Shkodër. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga Delegacioni Europian në Shqipëri, Kryeministri Berisha e vlerësoi një ngjarje të rëndësishme ngritjen e kësaj Qendre në Shkodër, qytet që “ka ruajtur e mbrojtur me sakrificat më të mëdha, vlerat më të arrira të qytetërimit perëndimor”. Duke ju drejtuar qytetarëve të qytetit verior, shefi i qeverisë theksoi se “në 20 vite, ju në shpirt mbetët Europë. Europa blu, blu dhe zemra juaj”. Por, vijoi ai, në një kohë të rëndësishme ju faktuat se në këtë qytet blu, prej 20 vitesh, ju keni realizuar në zgjedhjet e fundit numërimin më të saktë në botë të votave të qytetarëve tuaj. Berisha më tutje tha se gjen rastin të përulet me nderimin më të madh para secilit prej komisionerëve të të gjitha forcave politike, që firmosën një proces zgjedhor ku gabimi njerëzor, për shkak të teknologjisë ishte më i vogël se në çdo vend tjetër të këtij kontinenti. “Përpara ne kemi një provë të madhe, sërish të lirisë, 8 majin. Ne përballemi me një situatë, si asnjë komb tjetër. Pas 20 vitesh, krerë të opozitës rrethuan Këshillin e Ministrave, për të përmbysur një qeveri legjitime. Përgjigja jonë, aq sa ishte dhe aq sa ç’u tregua i fortë ligji dhe institucionet, do të jetë e mbetet institucionale”, insistoi Kryeministri. Ne qëndrojmë për funksionimin e shtetit ligjor dhe institucioneve, tha ai, ne qëndrojmë të vendosur për hetimin e plotë e tërësor të 21 Janarit. Në vlerësimin e kryeministrit Berisha, kjo është kërkesa e çdo shqiptari, siç është edhe kërkesa e miqve tanë në Europë. “Kjo është kërkesa e miqve tanë, në Shtetet e Bashkuara e kudo në botë. Unë ju garantoj se hetimi i plotë i kësaj çështjeje, do të bëhet, se gjithçka do të dalë në dritën e diellit e do të nxirren të gjitha përgjegjësitë. Por, nga ana tjetër, secili nga ju, çdo shqiptar, ka më 8 maj një shans të vërtetë për të lartësuar më tej ndërtesën e Shqipërisë europiane. Më 8 maj le të marrin të gjithë pjesë në votime, të votojmë si qytetarë të lirë dhe të dëshmojmë se nuk ka flakë e nuk ka puç, nuk ka aventurë e aventurierë, që mund të frenojnë vullnetin tonë të lirë, votën tonë të lirë, vlerat tona”, këmbënguli kryeministri. Duke folur për sfidat, me të cilat pritet të ndeshet mazhoranca e djathtë, drejtuesi i saj konstatoi se asnjëherë, rrugën nuk e kemi bulevard me lule. Berisha kujtoi se 20 vjet më parë, diktatura kishte shkatërruar Shkodrën dhe Shqipërinë, më shumë se çdo luftë, secilin vend që kishte njohur luftërat. “Në 20 vjet, ne kemi realizuar ndofta më shumë se çdo komb tjetër në rrugën e lirisë. Në këtë rrugë, për këtë kapërcim shekullor, ne kemi njohur solidaritetin, mbështetjen e jashtëzakonshme të kombeve europiane, të vendeve mike, të Italisë e vendeve të tjera, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e botës së lirë”, theksoi Berisha. Një tjetër çështje, në të cilën u ndal Kryeministri gjatë fjalës së tij para qytetarëve Shkodranë kishte të bënte me faktin se, sipas tij, ne jemi një komb ku mbi 95 për qind mbështet integrimin europian. “3-4 për qind janë ata flakëvënësit që nuk kanë të ardhme në Shqipëri. Ne e mbështesim këtë si thirrje që buron nga shpirti e trashëgimia jonë, e mbështesim me mençurinë më të madhe, sepse një komb i vogël si i yni nuk mund të ketë parajsë tokësore më të bukur e më të mirë se Bashkimi Europian, për të ndërtuar të ardhmen e tij”, ironizoi Berisha. D.K.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›