E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Zgjedhjet s'shtyhen, ka ende kohë për komisionerët

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, ka rikërkuar dje nga opozita të bëhet pjesë e përgatitjeve për zgjedhjeve lokale të 8 majit. Në një takim të organizuar në qytetin e Elbasanit, Wollfarth u shpreh se nëse 66 komisionet pajisen plotësisht, atëherë do të ketë një shpërndarje të barabartë, 3 anëtarë opozita, 3 mazhoranca dhe 1 anëtar për balancën. “Është vënë re që disa parti i kanë emëruar kandidatët dhe disa të tjera jo, por kjo nuk çon në pengim të zgjedhjeve të 8 majit, ditë kjo e përcaktuar nga Presidenti. Fakti që disa parti nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre, përbën një shqetësim dhe pengon transparencën e zhvillimin demokratik në vend. Nëse KZAZ-të do t’i kishin të 7 anëtarët, për 4 partitë e ndryshme, do të ishte një kontribut për transparencën. Kjo nuk kufizohet nga fakti që disa parti nuk kontribuojnë dhe u bëj thirrje këtyre partive që të jenë pjesë e zgjedhjeve të drejta e transparente, duke dhënë kontributin e tyre”, theksoi ambasadori Wollfarth. Në lidhje me lënien e vendeve vakante nga komisionerët e opozitës, ambasadori Wollfarth u shpreh se ky është një vendim politik. “Qytetarët kanë të drejtë për të votuar partitë politike, duhet të japin kontributin e tyre, pasi në të kundërt mbetet që KQZ-ja të gjejë një zgjidhje alternative, për të respektuar ditën e zgjedhjeve më 8 maj. KQZ-ja ka bërë një deklaratë për vendet vakante, por mbetet ende për të shpresuar pasi ka ende kohë”, tha Wollfarth. Sa i përket legjitimitetit të zgjedhjeve, nëse opozita nuk merr pjesë në këto zgjedhje, ambasadori i OSBE, Eugen Wolfarth, deklaroi se “është vendim që merret nga partitë politike, nëse vendosin të marrin pjesë në zgjedhje apo jo, nëse i ofrojnë votuesve të tyre mundësinë për t’i votuar apo jo. Qytetarët kanë të drejtën për të votuar, dhe është e rëndësishme që partitë politike të kontribojnë, nëse nuk kontribojnë atëherë i mbetet që KQZ të gjejë zgjidhje alternative, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në datën e caktuar”. F.S.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›