Grupi i PS miraton qëndrimin për Priftin dhe Rregulloren e Kuvendit
Masat frenuese, që mazhoranca po përpiqet të përfshijë në Rregulloren e Kuvendit, jo vetëm që nuk kanë frikësuar opozitën, por e kanë bërë atë më agresive në sjelljen e saj. Grupi parlamentar socialist ka vendosur dje, që seancën plenare të ditës së enjte, ta kthejë sërisht në një arenë të luftës politike, në qëndër të së cilës do të jetë pikërisht oponenca ndaj ndryshimeve të paraqitura nga shumica qeverisëse në Rregulloren e Kuvendit. Në një mbledhje, ku ka marrë pjesë edhe vet kryetari i PS-së, deputetët socialistë kanë diskutuar mbi strategjinë që do të ndjekin në seancën e nesërme, ku pritet të diskutohet për tre çështje të rëndësishme, siç janë ndryshimet në rregullore, kufizimi i imunitetit dhe heqja e imunitetit të deputetit Dritan Prifti. Për dy çështjet e para, grupi ka vendosur që të diskutojë vetëm parimisht, për të denoncuar ato si jo vetëm nisma antikushtetuese, por edhe si një përpjekje për të penguar opozitën të luajë rolin e vet, si dhe prokurorinë, që të luftojë korrupsionin. Kështu mësohet se Rama ka qënë ai që ka mbajtur një fjalim të gjatë para deputetëve, ku ka folur për veprimin politik të grupit parlamentar, jo vetëm për seancën e radhës. Siç bëhet e ditur, Rama ka porositur deputetët që t’i kthejnë seancat në një luftë politike, për të denoncuar shkeljet ligjore të kësaj mazhorance. Një vëmendje të madhe, Rama ka kërkuar t’i kushtohet në këtë debat ngjarjeve të 21 janarit dhe vrasjes së katër demonstruesve. Ndaj në funksion të kësaj beteje, ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që debatet të mbahen në nivel politik, pa qënë e nevojshme që të kalohet në diskutimet për nene të veçanta të nismave ligjore. Por ndaj kësaj strategjie ka pasur edhe zëra jomiratues, siç ka qënë ai i deputetit Arben Malaj, i cili ka shtruar pyetjen sesi do veprohet për miratimin e ligjeve. Rama u ka kërkuar deputetëve që të evidentojnë të gjithë nismat antikushtetuese, për të ndihmuar procesin e denoncimit të tyre, jo vetëm publikisht. Ndërkohë grupi ka vendosur që të votojë pro kërkesës së Prokurorisë, për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Dritan Prifti, i cili akuzohet për korrupsion pasiv.