E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Meta, detajet e takimeve

VLORË - Takimi mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, ishte vetëm fillimi i negociatave, që drejtuesit e këtyre dy partive do të kenë në të ardhmen. Kryeministri Sali Berisha pritet të qëndrojë disa ditë pushim në jug të vendit, ndërkohë
që për një periudhë të pacaktuar është vendosur atje edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta.


Ky i fundit është parë dy ditë më parë të zbriste nga një jaht privat, bashkë me familjen e tij, për të zhvilluar një takim larg vëmendjes së medias me Kryeministrin e vendit. Edhe pse kanë drekuar dhe darkuar po ashtu bashkë, asnjë nga menaxherët e lokaleve ku Berisha dhe Meta mësohet të kenë qenë, nuk kanë pranuar të flasin.


Burimet treguan për gazetën "Shekulli" se Berisha dhe Meta kanë bërë një xhiro në plazh krejt të shkujdesur, ndërkohë që kanë ruajtur me fanatizëm pjesën tjetër të takimeve, si dhe objektin e bisedës.


Megjithatë, burime jo zyrtare nga dy partitë kanë deklaruar se negociatat e para dy ditëve kanë përcaktuar fillesën e bisedave të vazhdueshme, që dy liderët do të kenë, duke preferuar që këto takime informale, ata t'i zhvillojnë larg vëmendjes së medias.


Agjenda e bisedës


Edhe pse negociata informale, mësohet se në takimet e zhvilluara gjatë fundjavës, Meta dhe Berisha kanë diskutuar mbi pozicionin që LSI-ja do të ketë në qeverinë e ardhshme, duke filluar nga numri i drejtorëve që do të marrin, zv/ministrat, e deri tek ministritë.


Edhe pse është folur në parim për të kaluar në detaje konkrete vetëm ditët që vijnë, burimet cituan se negociatat e para duket se u kanë hapur rrugë mjaft çështjeve të lëna pezull, edhe pse Kryeministri i vendit është shprehur dakord vetëm në parim.


Sipas burimeve, vendimet konkrete pritet që të zyrtarizohen vetëm dyjavorin e dytë të këtij muaji, atëherë kur të fillojnë edhe takimet zyrtare, të cilat do të përcaktojnë edhe nivelin e pjesëmarrjes së LSI-së në qeverisjen e ardhshme.


Pushimet


Kryeministri Sali Berisha pritet të kalojë një periudhë të konsiderueshme të kohës në jug të vendit, duke u shkëputur nga agjenda politike e Tiranës. Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri Berisha ka pushuar vetëm me familjen e tij, ka bërë një xhiro me skaf, ndërsa në orët e mbrëmjes ka darkuar në një nga lokalet e Dhërmiut.


Në gjithë verandën e restorantit nuk është lejuar të darkojë askush, madje nuk janë lejuar as fotot, në saj të këmbënguljes së madhe të eskortës, që shoqëronte Kryeministrin e vendit. Thuajse të njëjtën agjendë ka ndjekur dje edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta.


Edhe ky i fundit po vijon pushimet në një tjetër ambient, larg rezidencës qeveritare. Gjatë gjithë ditës, Meta ka pushuar në një jaht privat, ndërkohe që janë shkëmbyer vetëm për pak minuta me kryeministrin e vendit, para një lokali ku ky i fundit kishte ndaluar për një kafe.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›