LSI premtime rinisë: Mbështetje gjatë qeverisjes me PD
TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka premtuar sot mbështetje për rininë gjatë bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike. Zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Besjan Pesha garantoi sot në një deklaratë për mediat se në 4 vitet e ardhshme "LSI do të zbatojë programin e saj për rininë, program ky i paraqitur gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit".
Sipas tij, "gjatë 4 vjeçarit të ardhshëm LSI do të ecë krah për krah me të rinjtë shqiptarë, duke iniciuar dhe garantuar zbatimin e një sërë nismash ligjore të cilat synojnë integrimin e mëtejshëm të tyre në proceset e vendimmarrjes, nxitjen dhe zhvillimin e talenteve të reja në fushën e arsimit, kulturës, sportit etj"
Duke u ndalur te disa nga nismat që LSI do të ndërmarrë gjatë këtij mandati, Pesha veçoi kartat dhe statusin e studentit, projektligjin për vullnetarizmin, përmirësimin e mëtejshëm të procesit të maturës shtetërore, projektet për sportin dhe kulturën, nxitjen dhe mbështetjen e projekteve dhe organizatave rinore brenda ambienteve shkollore dhe jashtë tyre.
"Jemi të sigurtë se do të arrijmë t'i garantojmë çdo të riu dhe të reje në Shqipëri lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimit Europian për të vënë më në fund shenjën e barazimit midis rinisë shqiptare dhe asaj europiane", tha ai.