Kosovë, partitë kërkojnë me insistim kamera në vendvotime

Partitë politike në Kosovë po shtojnë kërkesat e tyre për vendosjen e kamerave nëpër vend votime dhe vend numërime të votave gjatë zgjedhjeve që do të mbahen me 15 nëntor. Por burime nga agjencitë kosovare të lajmeve bëjnë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë e ka shqyrtuar këtë kërkesë, por nuk ka marrë akoma një vendim të caktuar . KQZ, përmes Komisionit për buxhet, është duke i shqyrtuar nevojat buxhetore që do të kishte aprovimi i kësaj kërkese. Ndërkohë, deri me tani , të gjitha partitë politike, përveç subjektit më të madh parlamentar, Partisë Demokratike të Kosovës, e cila nuk është deklaruar, e kanë mbështetur nismën e Aleancës Kosova e Re dhe partive të tjera, që vendvotimet dhe vendnumërimet e votave të monitorohen përmes kamerave. Subjektet politike mendojnë se në mungesë të një monitorimi të qartë ndërkombëtar, vendosja e kamerave vlerësohet si esenciale për mbarëvajtjen dhe transparencën e gjithë procesit zgjedhor. Lidhja Demokratike e Dardanisë, konsideron se KQZ-ja duhet të vendosë pro vendosjes së kamerave, për t'i shmangur parregullsitë eventuale gjatë zgjedhjeve dhe numërimit të votave. Arsyeja kryesore e kësaj kërkese është shmangia e parregullsive, që, sipas tyre, janë evidentuar në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit 2007, kur 30 mijë vota të qytetarëve të Kosovës ishin shpallur të pavlefshme.