E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Meta pa kamera, takim mes dy liderëve për krijimin e qeverisë

Lsi mohon zhvillimin e takimeve mes kryetarit të LSI Ilir Meta dhe kryeministrit Sali Berisha. Edhe pse media ka bërë publike një takim të zhvilluar të dielën pasdite në Pogradec mes Berishës dhe Metës, LSI nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Petrit Vasili ka deklaruar se nuk është zhvilluar ndonjë takim i tillë dhe se takimet mes dy liderëve do të bëhen publike. Pavarësisht deklaratave të LSI, burime pranë dy liderëve bënë të ditur për "Ora News" se Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta janë takuar të dielen në një takim të panjoftuar dhe pa praninë e mediave. Takimi, i pari që pas zgjedhjeve dhe pas marrëveshjes paraprake për një koalicion qeveritar, është bërë në vilën qeveritare në Pogradec dje pasdite vonë. Temë e takimit besohet se ka qenë bashkëpunimi qeveritar mes PD dhe LSI-së, por edhe postet që do marrë partia e Metës në qeverinë e re. Kryeministri Berisha ishte dje në Pogradec për disa përurime dhe ka shfrytëzuar rastin edhe për tu takuar në fshehtësi me aleatin e tij më të ri. Edhe pse kanë kaluar ditë nga marrëveshja për një bashkëpunim qeveritar, dy liderët Berisha dhe Meta ende nuk kanë dalë publikisht për të bërë të ditur detajet e bashkëqeverisjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›