E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Minimumi jetik 200 euro do indeksohet çdo vit, lista e rimbursimit të ilaçeve si në Itali

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha siguroi sot se PD jo vetëm do të vendosë minimumin jetik 200 euro, por do ta indeksojë rregullisht atë çdo vit.

Në një takim në njësinë 5 në kryeqytet, Berisha tha po ashtu se “lista e rimbursimit të ilaçeve do jetë si në Itali”.

“Ne kemi absolutisht programin më të mirë që kemi pasur ndonjëherë në historinë tonë. Buxheti i shtetit, që i tëri është produkt i taksave të qytetarëve, do ndajë një pjesë thelbësore për qytetarët, për rroga dhe pensione”, tha ai.

Duke u ndalur te shëndetësia, Berisha shtoi se “ne do i japim një përgjigje shumë të fortë kësaj gjendjeje katastrofike”.

“Ne do garantojmë çdo qytetar shqiptar, së pari asnjë ilaç që nuk tregtohet në dy vende të BE, nuk do futet në Shqipëri. Së dyti, lista e ilaçeve, që shteti social italian u rimburson qytetarëve të vet, do jetë lista e ilaçeve që shteti shqiptar do u rimbursojë qytetarëve të tij”, siguroi ai.

Berisha premtoi se çdo shqiptar do marrë 200 euro si minimum jetik.

“Minimumi jetik është detyrim moral dhe ligjor dhe kjo shumë do indeksohet çdo vit, kjo shumë do përmirësohet çdo vit. Në këtë mënyrë ne bëhemi një shoqëri më e drejtë, një shoqëri e cila nuk ka më njerëz në varfëri të skajshme. Jo vetëm kaq, rroga të ulëta nën 500 euro nuk do ketë. Ne jemi parti konservatore, ne jemi parti e iniciativës së lirë, por dhembshuria njerëzore është morali ynë. Ndaj asnjë sipërmarrës nuk do mund të paguajë punonjësin nën 500 euro”, shtoi ai.

Berisha siguroi sipërmarrësit se asnjë ndërmarrje nuk do falimentojë nga kjo sepse do bëhet ulje drastike e taksave.

“Çdo rrogëulët, çdo pensionist, çdo njeri në ndihmë ekonomike apo i papunë që merr më pak se 200 euro, do ketë kartën e konsumatorit. Do i marrin ushqimet 20 përqind më lirë, pa TVSH”, shtoi ai./m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›