E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama në Cërrik: Regjistrimi digjital i tokës përfundon në 2028. “Paketa e Maleve” zgjerohet te tokat bujqësore

Kryeministri Edi Rama njoftoi se koncepti i “Paketa e Maleve” do të shtrihet edhe për tokat bujqësore të punuara nga fermerët. Sipas Ramës, ata që zotërojnë tokë në mënyrë faktike, por pa dokumente, do të mund të hyjnë në marrëdhënie me shtetin përmes një dëshmie nga këshilli bashkiak, dhe më pas do të kenë mundësinë të investojnë dhe regjistrojnë tokën si të tyren.

Gjatë një takimi me fermerë në Cërrik, Rama tha se qeveria po vijon me intensitet punën për regjistrimin dhe inventarizimin digjital të të gjithë sipërfaqes së tokës në Shqipëri, proces që po realizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe që parashikohet të përfundojë plotësisht deri në vitin 2028.

“Po bëhet i gjithë regjistrimi dhe inventarizimi digjital i tokës me mbështetjen e BE. Është pjesë e angazhimeve tona në procesin e anëtarësimit dhe parashikohet të përmbyllet i gjithë procesi deri në 2028. Paketën e maleve ku ne kemi bërë një hap të rëndësishëm sa i përket pronësisë duke i dhënë mundësi të gjithë atyre që e kanë pronën faktike por nuk e zotërojnë me dokumente. Ne do i japim mundësi të gjithë atyre që duan të investojnë në këto toka me një dëshmi të këshillit bashkiak që i njeh tokën të hyjë në marrëdhënie me shtetin dhe ta paguajnë 1 euro, të bëjnë investimet e tyre dhe kur mbaron investimi ta regjistrojnë si tokën e tyre. Ky proces tejkalon të gjitha llojet e pengesave ligjore dhe të mos krijojnë konflikte të reja me pronat. Të njëjtin koncept ne duam ta shtrijmë tek toka e punuar. Ku keni një tokë me certifikatë por nuk e keni në hipotekë, ndërkohë që toka juaj prodhon në mënyrë të vazhdueshme. Jemi duke punuar që të njëjtën gjë ta bëjmë për këtë pjesë duke kërkuar që këshilli bashkiak të marr përsipër të jap dëshminë se kjo tokë është një tokë që punohet dhe që i përket filanit dhe nuk ka konflikte”, tha Rama.

Sipas kryeministrit ky proces i digjitalizmit të tokës synon të zgjidhë përfundimisht problemet e trashëguara me pronësinë dhe të eliminojë burokracitë.

“Procesi i regjistrimit do të shkojë përmes digjitalizimit që do të bëjë të mundur që të mos ketë më burokraci me futje apo nxjerrje dokumentesh apo të krijohen pronarë që nuk janë”, tha ai.

Lidhur me pensionet, Rama tha se brenda vitit 2030 synohet që pensioni minimal të jetë 200 euro, ndërsa shtoi se lufta ndaj informalitetit dhe deklarimit të pagës reale është në fokus të qeverisë.

“Ne duam që në Shqipërinë 2030, minimumi të synojmë pension minimal 200 euro për të gjithë. Kur thonë njerëzit vdesin për bukë u them kush flet kështu nuk e njeh fshatin shqiptar dhe në të gjitha rastet duam që për të gjithë te këtë një pension. Pse është i rëndësishëm BE sepse na krijon një kapacitet të ri financiar”, tha Rama.

Më herët kryeministri Rama inspektoi edhe punimet e aksit Elbasan-Lekaj, me një gjatësi prej 40,7 km, që nis në afërsi të ish – Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, në afërsi të Rrogozhinës, pjesë e Korridorit VIII.

“Ajo që duhet pasur parasysh është që ky është një program masiv infrastrukture, i cili po bëhet realitet falë pozicionit të ri që Shqipëria ka fituar edhe në kuadër të fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor, edhe falë rritjes domethënëse të cilësisë së projekteve, por në të gjitha rastet sot më sot mbështetja financiare e programeve të BE për Shqipërinë mbetet 90% kredi, natyrisht kredi e butë nga bankat europiane të zhvillimit por kredi. Edhe hekurudhat që janë një pako e re që është hapur tanimë janë po ashtu në këtë kuadër. Me hyrjen në BE jo vetëm që mbështetja financiare rritet në mënyrë eksponenciale ose thënë e ndryshe nëse deri tani ne kemi marrë një mbështetje pak më shumë sesa diçka më shumë sesa një miliardë, me hyrjen ne BE marrim diçka e më shumë se 1 miliard çdo vit por shumë  e rëndësishme, 90% e mbështetjes për një vend anëtar nuk është kredi po është grant, pra është fond solidariteti i vendeve kontribuuese për vendet përfituese siç do jetë Shqipëria. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha Rama.

Korridori 8 ka një gjerësi prej 26 metrash me dy korsi kalimi dhe një korsi emergjence, duke përballuar kështu një fluks rreth 40 mijë mjete për 24 ore në kushte normale. Traseja pothuajse është hapur e gjitha dhe trupi i rrugës është realizuar rreth 50 % të totalit. Aksi Elbasan- Lekaj kalon në rajonet Elbasan dhe Kavajë. Ai nis në afërsi të ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, në afërsi të Rrogozhinës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›