E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mirënjohje deputetëve, miratuan 308 ligje. Mund të marrim në konsideratë një ligj lustracioni me ndihmën e të huajve

Kryeministri Sali Berisha, në javën që përmbyll punimet e Kuvendit, ka falënderuar deputetët e tij dhe të mazhorancës për punën e bërë. Edhe pse ky ka qenë Kuvendi më i dështuar, për shkak se nuk ka pasur brenda opozitën dhe nuk ka plotësuar asnjë kriter të vendosur nga BE, sërish Berisha tha se ai ka shënuar suksese.

Dua tu shpreh ju dhe deputetëve të mazhorancës, aleatëve të LSI, PDIU, republikanëve, mirënjohjen më të thellë, falënderimet më të përzemërta për punën dhe përkushtimin, kontributin tuaj. Nga shtatori i vitit 2009, deri në korrik të vitit 2011, ju keni shqyrtuar, diskutuar, përmirësuar, miratuar 454 akte, që qëndrojnë në themelin e reformave që po ndryshon çdo ditë Shqipërinë. Në këtë hark kohor, ju zotërinj deputetë keni miratuar 308 ligje, 111 vendime, 35 rezoluta. Ju jeni mazhoranca që shkëputët burokracinë shqiptare nga praktika kolltukofagë e nomenklaturës komuniste, tha Berisha. Keni adoptuar standardin e Bungestagut gjermanë për transparencë, vijoi më tej kryeministri.

Sipas tij, ligjet e miratuar në Kuvend kanë ndihmuar reformat e thella në vend. Si zakonisht, Berisha foli për projektet e tij, atë të arrës dhe ullirit.

Nisëm dy projekte të mëdha: projekti i arrorëve dhe ai i ullirit. Vetëm në qarkun e Kukësit janë paraqitur 1 mijë aplikime për arrorët.

Ne do nxjerrim sasira botërore kromi, hekuri dhe nikeli.

Jemi nga vendet më të kërkuara për turizmin.

Po ndërtojmë infrastrukturën më moderne.

Ne do shfrytëzojmë çdo mundësi për të rritur të ardhurat tona.

Me këto projekte do sigurojmë të paktën 2 miliard euro të ardhura, tha Berisha, duke theksuar diçka që të lë pa frymë se Vend i zhvilluar do bëhemi kur të kapim nivelin e të ardhurave të një vendi të zhvilluar.

Në këtë vend potencialet janë shumë të mëdha. Ne jemi një vend me të ardhura të mesme të larta, por do zhvendosemi tek vendet me të ardhura të larta, tha Berisha.

Kryeministri pranoi se pati probleme në kalimin e ligjeve për shkak të opozitës. Po ashtu nuk u krye reforma zgjedhore. Megjithatë, Berisha tha se qytetarët e ndëshkuan opozitën me votë.

Rama e paraqiti si strategji suksesi bojkotin dhe i quajti zgjedhjet lokale një referendum, por zgjedhjet rezultuan në fitore plebishitare të qeverisë, tha Berisha.

Në fund Berisha ka folur për një takim me të përndjekurit.

Sot prita një përfaqësi të zgjeruar të të përndjekurve politike, të cilët, me përgjegjësi të lartë, paraqitën një seri kërkesash. Të përndjekurit këmbëngulën sërish për ligjin e lustracionit. Mendoj se një nisëm unilaterale pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të peshohet mirë. Por një nisëm me angazhim dhe të institucioneve ndërkombëtare, edhe mund të konsiderohet, tha Berisha.

Ai shtoi se burgu i Spaçit do kthehet në muze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›