Berisha: Mirëpresim kandidatura të pavarura për Tiranën

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha nga selia e PD-së se shpresojnë që sot të kenë emrin e kandidaturës për Tiranën në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 9 nëntor.
Berisha u shpreh për gazetarët se “do të ketë diskutime edhe me koalicionin”.
I pyetur nëse ka pasur propozime nga kandidatë të pavarur, Berisha pohoi se janë disa që e kanë shpallur publikisht por ka të tjerë që e kanë shprehur dëshirën.
“Emrat më të njohur janë bërë publik në media. Të tjerë janë pedagogë universitetesh, personalitete të ndryshme që duhet t’iu marr përpara miratimin që t’i bëjmë publik”, tha Berisha.
Berisha tha për gazetarët se “PD ka të paktën 12-13 kandidatura për Tiranën”
“Ne shpallëm një parim, mundësisht të hapemi dhe mirëpresim kandidatura të pavarura nga partitë. Tirana do ketë kandidatin më të dashur ndonjëherë”, tha Berisha.
Zgjedhjet e pjesshme lokale do të zhvillohen në gjashtë bashki , në Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, në 9 nëntor.
Për bashkinë e Tiranës, deri sot, PS ka propozuar emrin e Ogerta Manastirliut, ndërsa Lëvizja Bashkë, Arlind Qorin.
/m.q/j.p/