E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Modeli ekonomik i Shqipërisë po tërheq vëmendjen botërore. Por, kërkon 100 milionë $ borxh

Share

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka deklaruar se qeveria e drejtuar prej tij u ka paraprirë modeleve të reja ekonomike. Këtë deklaratë Berisha e ka bërë nga Franca ku po merr pjesë në një seminar me temë Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi. Kreu i qeverisë tha se suksesi i ekonomisë shqiptare ka tërhequr vëmendjen botërore.

Dje u diskutua gjerësisht mbi modelet e suksesit dhe siç e konstatuat theksi u vu kryesisht në vendet e BRIK-ut, Brazil, Rusi, Indi, Kinë, por, e vërteta është, se theksi dhe një vend të veçantë pati edhe modeli i Shqipërisë, si një ndër modelet më të suksesshme sot. Model, i cili ka garantuar rritjen e konsoliduar të ekonomisë, një model, i cili, ndoshta si asnjë vend tjetër, ka realizuar rritjen me 100 për qind të eksporteve shqiptare, pra, dyfishimin e tyre në harkun kohor 2009-2011, një model që ka shënuar rritjen prej 316 për qind të investimeve të huaja në harkun kohor 4 vjeçar, një model, i cili në një hark kohor 5-6 vjeçar i ka dhënë të ardhura ekonomike vendit mbi 7 miliardë dollarë më shumë. Ky model, i bazuar në lirinë ekonominë, taksat e ulëta, qeverinë e vogël, përmirësimin e klimës së biznesi dhe zhdukjen e pengesave burokratike, u konsiderua këtu dhe konsiderohet kudo, siç u theksua dje, si një model suksesi. Pata rastin të bëj një ekspoze të këtij modeli dhe të shpreh mendimet e mia për potencialet e mëdha të Shqipërisë, u shpreh Berisha në një prononcim për mediet nga Parisi.

Më tej kryeministri tha se në këtë seminar janë diskutuar dhe modelet e reja të cilët duhen aplikuar për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike. Në këtë prizëm, Berisha ka nënvizuar se Shqipëria tashmë e ka bërë një gjë të tillë.

U diskutua gjerësisht për modelet e reja dhe se ku qëndron fuqia e tyre, sot u diskutua për kufijtë e rinj dhe drejtimet më të rëndësishme që duhet të ndjekë ekonomia botërore në vite që vijnë. Krahasuar me pikëpamjet e idetë që u mbrojtën, gjej që modeli shqiptar është në përputhje të plotë me këto drejtime të reja, u shpreh ai.

Por, Qeveria duket se është detyruar të pranojë situatën e vështirë të financave publike dhe ka pranuar të hyjë në negociata me Bankën Botërore për një kredi që do të përdoret edhe për mbështetje buxhetore.

Lajmin e konfirmoi zyra e Bankës Botërore në Tiranë. Përmes një njoftimi për shtyp ajo njoftoi se Banka Botërore është angazhuar tashmë me qeverinë në përgatitjen e një kredie për mbështetjen e politikave të zhvillimit që lidhen me qeverisjen dhe konkurrueshmërinë, e cila mund të përdorë financime shtesë për të forcuar programin e reformave ekonomike.

Sipas Top Channel, bëhet fjalë për një kredi mbi 100 milionë dollarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›