Berisha: Modeli ynë ekonomik i dha vendit rritjen më të madhe në Europë
Kryeministri Berisha ka shpallur sot objektivat e vitit 2012 para deputetëve të partisë që ai drejton. Kriza ekonomike në eurozonë dhe modeli ekonomik i qeverisë së tij kanë qenë boshti kryesor i fjalës së shefit të ekzekutivit para deputetëve demokratë.
Kriza do të vazhdojë, nuk është e lidhur vetëm me borxhet. Është një krizë që ka të bëjë përveç faktorit global edhe në një shkallë shumë të madhe me mospërputhjen e faturës sociale me të ardhurat reale të një vendi, të një shoqërie. Indi social është një arritje madhore e njerëzimit në këtë sistem, por fatura sociale është larg asaj që mund të përballojë një ekonomi reale. Me gjithë këtë situatë, e sigurt është që modeli shqiptar funksionon. Ata të cilët nuk e kanë kuptuar këtë ose nuk e kanë të qartë se çdo të thotë model ose janë të verbuar nga qëndrime të tjera. Në një vit elektoral, në një vit me një seri problemesh të tjera, të ardhurat tatimore doganore që janë segmenti më i rëndësishëm i zbatimit të ligjit dhe funksionimit të shtetit ligjor. Ato u realizuan në masën 101 për qind nga doganat dhe në masën 98 për qind nga tatimet. Ne kemi sjellë një buxhet realist në parlament dhe në të nuk kemi sjellë të ardhurat që do të vijnë nga privatizimi. Modeli ynë i ka dhënë këtij vendi rritjen më të madhe në Europë, tha Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se do të vijojë zbatimin e projekteve rrugore dhe Shqipëria dixhitale.
I japim vendit një rrjet rrugor që u lejon shqiptarëve të kursejnë nga 60 deri në 80 për qind të kohës për të udhëtuar në 4 anët e vendit. Do të bëjmë gjithçka të shënojmë arritje në teknologjinë dixhitale. Do të ecim në një seri drejtimesh. Shqipëria nuk ka ende një nga nivelet më të larta në Europë të përdorimit të teknologjisë dixhitale. Por është i vetmi vend në Europë me prokurime 100 elektronike. Viti i 100-vjetorit të pavarësisë do të jetë vit që frymëzon për një Shqipëri dixhitale më shumë se çdo gjë tjetër, tha ai.
Gjithashtu, ndër objektivat e qeverisë sipas Berishës mbetet dhjetëfishimi i prodhimit bujqësor dhe stimulimi i turizmit.
N.q.s. ka një gjë që mund të dhjetëfishohet është prodhimi bujqësor. Është e vështirë por ne do të ecim në këtë rrugë. Duhen shfrytëzuar të gjitha potencialet. Një nga leksionet e mëdha të krizës është gabimi i bërë në mosvlerësimin e prodhimit të komuniteteve. Turizmi do të jetë një objektiv themelor. Malet e Shqipërisë kanë qenë në fokusin e agjencive më serioze të turizmit. Bjeshkët e Namuna përfaqësojnë Himalajet e Evropës me specifikat e tyre, shtoi kryeministri.