PD: Rama, urrejtje ndaj Rrugës së Kombit
Partia Demokratike akuzoi dje përmes zëdhënëses së saj, Albana Mustafaraj kreun e PS-së se vazhdon të jetë kundër Rrugës së Kombit. Edi Rama, nëpërmjet lejtnantit të tij, shpërndau në e-mail-e, Facebook e media një shkrim të lobeve antishqiptare mbi Rrugën e Kombit. Në këtë shkrim sërish risillet deklarimi i kreut socialist se kjo është rruga e asgjësë, dhe rruga e panevojshme, apo edhe rrënimi i shqiptarëve. Me këtë veprim, z. Rama tregoi edhe një herë urrejtjen e tij për Rrugën e Kombit, rrugën e të gjithë shqiptarëve. Tregoi mashtrimin që bëri vetëm 2 muaj më parë kur u betua se Partia Socialiste nuk ka qenë asnjëherë kundër kësaj rruge, thuhet në deklaratën e selisë blu. Kreu socialist, Edi Rama, reagoi menjëherë pas akuzave të Partisë Demokratike, në rrjetin socialist Twitter duke rrëzuar akuzat e PD-së duke u shprehur se vrasësit e protestuesve nuk mund të bëjnë dot moral patriotik, pasi janë tradhtarë. Shitësit e detit, vjedhësit e zgjedhjeve, vrasësit e protestuesve, kusarët e Shqipërisë sna bëjnë dot moral patriotik! Janë tradhtarë! Pikë, shkruan kryesocialisti. Ai risqaron se PS-ja nuk ka qenë kurrë kundër Rrugës së Kombit, duke nënvizuar se nismëtari i saj ka qenë socialisti Pandeli Majko, asokohe kryeministër i vendit në kohën e luftës në Kosovë. Kurrë skemi qenë kundër Rrugës së Kombit, që e ka nisur socialisti Majko. Po kurrë sdo të pajtohemi me vjedhjen e parave të Rrugës së Kombit!, tha Rama.
Ai e cilësoi akuzën e PD-së të ndyrë dhe shpifje perverse të pushtetit hajdut. Akuzë e ndyrë nga selia e PD-së ndaj meje dhe PS-së për Rrugën e Kombit! Shpifje perverse e pushtetit hajdut që vodhi zgjedhjet për të vjedhur vendin, shkruan kryesocialisti Rama në blogun personal në rrjetin Twitter.
Erjon Veliaj
Akuzat nga selia blu erdhën pasi sekretari i Partisë Socialiste për Emigracionin dhe Rininë, Erion Veliaj, kishte postuar të shtunën në adresën e tij në Facebook një shkrim të gazetarit Andrea Lorenzo Capussela, që fliste me tone negative për rrugën Durrës-Kukës, e njohur si Rruga e Kombit.