E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Mos bllokoni, dilni me një kandidaturë

Kryeministri Sali Berisha ka ftuar sërish sot opozitën të japë mbështetje për kandidaturën e maxhorancës dhe të dalë me një kandidaturë të sajën. Duke folur në seancën për raundin e tretë të votimit për presidentin e ri, Berisha theksoi se opozita duhet të dalë nga rilindja e bllokut dhe e bllokimit dhe të bëhet pjesë e këtij procesi mjaft të rëndësishëm për vendin.

“Ju ftoj të angazhoheni në një proces të emancipuar. Ne u angazhuam dhe bëmë të gjitha lëvizjet. Bëni dhe ju lëvizjet tuaja. Mendoni se nuk ka në politikë gjithçka apo asgjë në një proces demokratik. Unë ju ftoj të mbështesni kandidatin, të propozoni një kandidat me vlera më të larta që ju mund të gjykoni dhe unë ju jap fjalën se do ta konsiderojmë me seriozitet. Përndryshe ju jeni rilindja e bllokut dhe bllokimit” shtoi Berisha.

Sipas kryeministrit, dogma dhe mashtrimi janë shinat me të cilat lëviz opozita dhe mbetet e gozhduar në to. Duke folur në seancën për raundin e tretë të votimit për presidentin e ri, Berisha theksoi se mazhoranca shkoi në takim me opozitës për të negociuar por kjo e fundit pa paraqitur vetëm ultimatume.

“Në përputhje me marrëveshjen e 2 shtatorit 2009, me LSI nisën dhe negociatat për zgjedhjen e presidentit. Pasi u arrit dakordësia me LSI ishte ftesa që iu bë Ruçit me Patozin për cështjet e modaliteteve. Mos kujto se me letra do më heqësh mua. Në këtë takim nuk ishte Berisha që shkroi editorialin e kërkonte të rrëzonte me çdo kusht Sali Berishën nga procesi. Nuk ishte Berisha që hartoi ultimatumin me 4 pika që i dorëzoi të mandatarit të PD. Përkundrazi PD erdhi drejt jush për të diskutuar ato që kishte rënë dakord koalicioni qeveritar. A mund ti bëj të dyja edhe Sali Berishën djathtas edhe Sali Berishën Majtas? Në vend të një tryeze ku diskutohej për modalitete morëm ultimatume. Sot është ora e sinqeritetit" deklaroi Berisha.

Ai ka theksuar se Partia Demokratike ka bërë çdo përpjekje për të arritur konsensus me opozitën duke hequr dorë edhe nga kandidurat  nga radhët e saj por ajo nuk ka pranuar. “Ne tejkaluam të gjitha dhe këto nuk mjaftojnë sepse udhëhiqeni nga një filozofi e tëra apo asgjë. Por kjo nuk është një filozofi për demokracinë por për luftra. Unë i plotësova të gjitha kushtet nuk solla një emër nga PD-ja, prumë një njeri që e kishit miratuar vetë, ju po e përdorni këtë për të bllokuar” shtoi më tej Berisha.

Berisha ka deklaruar prerë se Jozefina Topalli do të ishte presidente e denjë për vendin, por hoqi dorë prej saj vetëm për të dalë jashtë një kandidature politike e për të siguruar një president konsensual.

“Për mua Topalli do përfaqësonte këtë vend në mënyrën më dinjitoze, por Rama më conte publikisht ultimatume se ajo nuk do jetë kurrë. Nuk kam vënë asnjë ultimatum. U ngrita nga bindjet e mia se PD do kishte presidentin nga radhët e saj dhe propozuam bashkë me Metën një njeri që s`ka qenë në asnjë nga forcat tona politike. I tejkaluam dhe këto nuk kanë rëndësi, se udhëhiqeni nga një filozofi, sipas juash, e tëra ose asgjë, por kjo nuk është filozofi në demokraci” tha kryeministri.

Sipas Berishës, lepuri fle te Fatos Nano. “Nuk ka gjë me të mençur se një pyetje popullore që shtrojnë shqiptarët, ku fle lepuri, ai fle te Fatos Nano. Po si ka mundësi ju kaq gojëkyçur, kaq që s`mund të nxirrni një kandidat, po kush e futi, e ftova vallë unë, unë e deklarova që ne nuk e votojmë dhe këtë i kam thënë në takimin që kam patur me të. Ju keni një problem madhor se e keni ende në korridore, kultin e armikut, po Nano çfarë u ka bërë ju ai? Ai bëri një gabim 74 ministra dhe kryeministra, çfarë patë ju prej tij, kush ua solli, e sollët vetë” tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›