Dështon raundi i 3 për presidentin, raundi tjetër të hënën

Ashtu siç dhe pritej, raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, ka qenë thjesht një formalitet dhe ka dështuar për shkak të mungesës së një kandidati. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka deklaruar para deputetëve se Komisioni i Ligjeve është mbledhur mëngjesin e sotëm dhe ka nxjerrë një raport, ku konstatohet se nuk ka asnjë kandidat zyrtar për të vazhduar me votimin.
Pas kësaj ajo ka kërkuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve e cila ka vendosur me konsensus që raundi i katërt i votimit të presidentit të ri të zhvillohet ditën e hënë në orën 10:00.
“Konferenca e kryetarëve ka vendosur me unanimitet që raundi i katërt i votimit për presidentin e ri të zhvillohet ditën e hënë në orën 10:00” theksoi Topalli në një prononcim për mediat. E pyetur nëse në raundin e katërt do të kishte një konsensus për presidentin, kryeparlamentarja Topalli u përgjigj se ekzistojnë të gjitha mundësitë.
Në një prononcim për “Ora News” deputetja e PS-së Mimi Kodheli e cilësoi zgjedhjen e presidentit si të tejzgjatur nga ana e mazhorancës në një kohë që sipas saj duhet të ishte një proces konsensual.
“Më vjen keq që raundi i tretë përfundoi pa një kandidat. Në seancë u shpalosën opinionet e dy forcave më të mëdha politike. Më vjen keq që ka një stërhollim të asaj që duhet të ishte një proces konsensual dhe do të tregonte që Shqipëria është e gatshme të realizojë një proces të mirëfilltë dhe do të tregonte që Shqipëria di të realizojë edhe procese të pjekura politike për të zgjedhur një president konsensual” shtoi Kodheli.
Ndërkohë deri tani janë konsumuar tre nga pesë raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë, ndërkohë që në raundin e katërt dhe pestë të votimit, kreu i shtetit mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash.