Takimi tek Topi, zbardhen kriteret për gjyqtarët

Figura të njohura të fushës juridike zhvilluan dje një takim me Presidentin e Republikës për kandidaturat për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Në garë do të përfshihen edhe ata që kanë punuar gjatë regjimit komunist
TIRANË - Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë do mund të zgjidhen edhe ata gjyqtarë që kanë kryer veprimtarinë e tyre profesionale në kohën e komunizmit.
Kreu i shtetit, Bamir Topi, duke u konsultuar dje me një grup ekspertësh të fushës juridike ka përcaktuar në vija të përgjithshme kriteret e tjera përveç atyre ligjore, që duhet të plotësojnë kandidaturat, që do të dekretohen për anëtarë të këtyre dy gjykatave që përbëjnë majën më të lartë të hierarkisë së sistemit gjyqësor në vend, duke mos përcaktuar si kriter përjashtues mundësinë e përzgjedhjes edhe të atyre gjykatësve, prokurorëve dhe akademikëve që një pjesë të aktivitetit të tyre profesional e kanë ushtruar edhe gjatë regjimit të shkuar.
Takimi
Në kushtet kur opozita mbetet e vendosur për të mos u bërë pjesë e vendimmarrjes së Kuvendit, kreu i shtetit, Bamir Topi, si e vetmja garanci që procesi i përzgjedhës së emrave të rinj të gjyqtarëve të këtyre dy gjykatave të jetë sa më transparentë, ka zhvilluar dje një takim konsultativ me këshilltarët e vet dhe me specialistë të njohur të fushës së të drejtës në vend, jo vetëm për përcaktimin e kritereve të tjera shtesë, që duhet të plotësojnë kandidatët për gjyqtarë, por në të njëjtën kohë edhe për t'i treguar mazhorancës dhe opozitës se ky proces do të jetë i orientuar drejt profesionalizimit dhe jo përkatësisë politike.
Në grupin e ekspertëve, përveç këshilltarëve juridikë të Presidentit bënin pjesë dhe një sërë figurash të njohura dhe drejtues të institucioneve të edukimit juridik si Marjana Semini, drejtore e shkollës së Magjistraturës, Artur Kalaja, Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, Kryetare e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Skënder Kaçupi, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Aleks Luarasi, si dhe Maksim Haxhia, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Pjesë e kësaj tryeze por në rolin e vëzhguesve kanë qenë edhe përfaqësues të Misionit EURALIUS të Bashkimit Europian, të Pranisë së OSBE-së e të programit OPDAT pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Topi
Siç bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës, në fillim të takimit, Presidenti Topi ka falënderuar të gjithë anëtarët e grupit të punës për gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës juridike, si dhe i ka kërkuar atyre që të përcaktojnë standardet më të njohura e të pranuara për gjyqtarë me integritet të lartë moral e profesional.
Më tej njoftimi zyrtar bën të ditur se Presidenti Topi vuri në dukje se ky është një proces tejet i rëndësishëm jo vetëm për shkak të numrit të konsiderueshëm të vendeve vakante, por edhe për funksionin specifik që kanë këto dy Gjykata në strukturën institucionale të vendit.
"Për shkak të kësaj rëndësie, kam qenë i hapur dhe u kam bërë thirrje konstante partive parlamentare që t'i kushtojnë gjithë vëmendjen e duhur përmirësimit të klimës politike, me qëllim krijimin e një shtrati bashkëpunimi për këto emërime. Politika duhet të ruajë strukturën e shtetit. Ajo duhet të jetë e harmonizuar për gjëra madhore!", - është shprehur kreu i shtetit në tryezë.
Më tej, Kryetari i Shtetit mësohet se ka theksuar rëndësinë e këtyre konsultimeve për të krijuar besimin tek gjithë opinioni politik ose jo, se gjyqtarët që do të përzgjidhen do të jenë njerëzit e duhur për të qenë pjesë e këtyre dy gjykatave.
Kriteret
Më pas, tryeza ka marrë në diskutim edhe kriteret, që duhet të plotësojnë këto kandidatura, duke përcaktuar në të njëjtën kohë në mënyrë të përgjithshme disa prej tyre dhe kryesisht ato që lidhen me etikën, moralin e nivelin profesional të kandidatëve. Burime pranë tryezës bënë të ditur se kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese natyrisht do të kenë edhe kriteret më të forta siç është vjetërsia në punë, arsimi apo edhe pavarësia politike.
Do të preferohen ata individë që kanë kualifikime shkencore, master, doktoraturë, profesor, as.profesor. Vjetërsia në punë duhet të jetë minimumi 15 vjet por me kusht që ushtrimi i profesionit të kenë qenë sa më afër dhe gjatë në gjyqësor, si dhe të kenë botime dhe tema të ndryshme të mbrojtura. Natyrisht do të preferohen ata që nuk kanë marrë masa disiplinore dhe kanë integritet i lartë moral dhe reputacion i mirë në gjirin e juristëve.
Preferohen që kandidatët të jenë të pavarur nga politika, të mos kenë qenë aktivistë apo pjesëmarrës në drejtime të ndryshme politike. Një kriter tjetër do të jetë edhe ai që gjatë profesionit mos kenë precedent penal, dhe të justifikojë pasurinë.
Ndërkohë që kandidatët që do të dekretohen nga presidenti në fund të këtij procesi përzgjedhës do të duhet të kalojnë në një seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve, një detyrim ky që lind nga Rregullorja e Kuvendit, e ndryshuar pas krizës që u krijua në rastin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në vitin 2008.
Kriteret
Për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të ketë kritere më të larta.
Përveç kritereve ligjore që përcakton Kushtetuta si vjetërsia, arsimi, pavarësia politike, arsimi i lartë juridik, kandidatët duhet të kenë kualifikime shkencore, master, doktoraturë, profesor, as.profesor.
Vjetërsia në punë 15 vjet, ndërsa ushtrimi i profesionit të kenë qenë sa më gjatë në gjyqësor.
Preferohen gjyqtar-prokuror, por edhe akademikë, sepse vendimmarrja në kushtetuese konsiderohet edhe si shkencë.
Preferohen ata që nuk kanë marrë masa disiplinore. Nëse një masë është marrë dhe është shuar ajo nuk ka vlerë, por do preferohej që të mos kishte marrë asnjë masë.
Integritet i lartë moral dhe reputacion i mirë në gjirin e juristëve
Gjatë profesionit të mos ketë precedent penal
Të justifikojë pasurinë. Informacionin për pasurinë do të vijë nga KLD-ja dhe ILDKP-ja. Ata që nuk janë përfshirë në këtë detyrim duhet ta deklarojnë vetë.
Treguesi cilësor dhe intelektual i kandidatit; duhet të ketë botime, mësimdhënie etj.
Kandidatët duhet të jenë të pavarur nga politika, të mos kenë qenë aktivistë apo pjesëmarrës në drejtime të ndryshme politike.
Kandidatët nuk duhet të jenë shumë të vjetër. Mund të kenë punuar në sistemin e vjetër por mos të kenë konotacion negativ. Ky fakt nuk do të shihet si kriter përjashtues, por duhet marrë parasysh.
Kandidaturat e dekretuara nga presidenti duhet të bëjnë interpelancë në Komisionin e Ligjeve. Do të dëgjohen me gojë dhe të tregojnë se kush janë, çfarë kanë bërë etj.
*******************
PS do të protestojë me 30 prill për problemet e shqiptarëve
PS: Berisha s'u mor me problemet. 75 mijë janë të papunë
TIRANË - I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Socialiste lidhur me qëndrimin e kryeministrit Sali Berisha në konferencën e djeshme për shtyp.
"Sot pamë kryeministrin të flasë për çdo gjë, përveçse Shqipërisë reale.
Pasi ai nuk ka asnjë lidhje me realitetin e shqiptarëve. Pushteti i tij ngrihet mbi vjedhjen e votës, mbi vjedhjen e pronës, mbi korrupsionin, mbi dhunimin e fjalës së lirë, mbi dhunimin e institucioneve të pavarura. Shqipëria e vërtetë është ajo që publikoi INSTAT sot. 75 mijë shqiptarë kanë dalë të pa punë vetëm brenda 3 mujorit të parë të këtij viti.
Kjo është Shqipëria e vërtetë! Kjo është arsyeja, sepse ne do protestojmë në 30 prill, kjo është arsyeja, sepse më 30 prill shqiptarët do protestojnë masivisht në bulevardin qendror të Tiranës, deri në largimin e Sali Berishës", - tha dje deputeti i PS-së, Eduart Shalsi.
Vizita në Tiranë, Hyseni takon Metën
TIRANË - Kosova konfirmon se do marrë pjesë në samitin e Bashkimit Europian në Sarajevë vetëm në cilësinë e shtetit. Në konferencën e djeshme për shtyp me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, deklaroi se nuk do të ulet në asnjë tryezë, në qoftë se nuk njihet si i barabartë. "Kosova është e gatshme dhe është fleksibël në këtë drejtim.
Kosova nuk do të pranojë të marrë pjesë në asnjë lloj takimi nëse pjesëmarrja e saj nuk është krejtësisht e barabartë me pjesëmarrjen e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor", - tha Hyseni. Ndërkohë, Spanja dhe Turqia do të negociojnë të martën me Serbinë, për të gjetur formulën që në samitin të jenë të pranishëm të dy shtetet fqinjë.
Ministri i Jashtëm kosovar nuk e ka parë aspak si problem liberalizimin e njëanshëm të vizave me Serbinë nga shteti shqiptar. Ndërsa Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, deklaroi se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë të shkëlqyera.
"Ne po punojmë që, përmes një partneriteti të veçantë, t'i shndërrojmë këto marrëdhënie në model të fqinjësisë së mirë në rajon. Njëherësh, shprehëm angazhimin e përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e tregtisë, energjetikës, infrastrukturës, turizmit, arsimit, kulturës dhe investimeve të përbashkëta në këta sektorë", - tha Meta.
I vetmi komision që zbaton rregulloren është i Ligjeve. Ky i fundit e nisi dje mbledhjen një orë me vonesë për shkak të kuorumit
Kuvendi në kaos. Komisioni mblidhet edhe me 6 deputetë
TIRANË - Përpjekja e mazhorancës për të siguruar shumicën e duhur për vendimmarrjet në komisionet parlamentare nëpërmjet ndryshimit të rregullores ka rezultuar jo shumë e suksesshme.
Ndërsa nëpërmjet vendimit të Kuvendit të disa javëve më parë për të lejuar që një deputet mund të jetë anëtar i më shumë se një komisioni, e djathta ka mundur të sigurojë numrat e nevojshme për të miratuar çdo nismë ligjore apo vendimmarrje tjetër, ndërsa i ka hapur një problem tjetër vetes.
Kjo pasi fryrja e komisioneve me deputetë të tjerë deri në atë masë sa të dominojë opozitën, në kushtet kur kjo e fundit ka bojkotuar pjesëmarrjen në to, ka bërë të vështirë për të djathtët që të sigurojnë kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e mbledhjeve. Vështirësitë kryesore po i ndjen Komisioni i Ligjeve, i cili duket se është edhe më i përpikti në respektimin e rregullores për sa i përket shumicës së duhur për nisjen e mbledhjeve.
Për shkak të këtij problemi thuajse çdo ditë ky komision po detyrohet të shtyjë nisjen e mbledhjeve deri në ardhjen e gjithë deputetëve të djathtë për të siguruar shumicën e duhur. Kështu, rasti më i afërt është ai i djeshmi, ku për shkak se nuk arrihej numri i duhur, kreu i komisionit Ilir Rusmali nuk e ka nisur mbledhjen në orën 10:00 siç edhe ishte parashikuar, por plot një orë më vonë në 11:00, vetëm pasi ka ardhur deputeti i 13-të, Gent Strazimiri, dhe pasi ka marrë konfirmimin se ishte duke ardhur edhe deputetja e 14-të, Rajmonda Bulku, (komisioni i Ligjeve ka 27 anëtarë dhe për të nisur mbledhjen duhet të jenë të pranishëm të paktën 14).
Pritja ka bërë që deputetët e tjerë që kishin ardhur më herët të shfaqnin pakënaqësi ndaj kolegëve që nuk ishin treguar korrekt me orarin.
Çështja ka shkuar deri aty sa deputetët e pranishëm të gjykonin se disa nga deputetët pavarësisht se ishin me fëmijë të vegjël vinin në mbledhje në orarin e duhur dhe disa të tjerë me kushte më të mira dhe të papreokupuar nuk tregoheshin korrekt.
Një fenomen i tillë ndodh vetëm në komisionin e Ligjeve, pasi vetëm ky komision rreket të zbatojë rregulloren, pasi thuajse të gjithë komisionet e tjera të dorës së dytë i zhvillojnë mbledhjet thuajse sa herë pa bërë numrin e duhur të pjesëmarrësve në mbledhje. Vetëm dje, Komisioni i Shëndetësisë ka zhvilluar punimet me vetëm 6 deputetë, një numër ky shumë larg shumicës së duhur.