E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BEJRUT – Baerbock kërkon tërheqjen e Izraelit nga Libani

BERLIN, 19 mars /ATSH-DPA/- Gjatë një vizite sot në Liban, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock bëri thirrje  për respektimin e armëpushimit midis Izraelit dhe lëvizjes Hezbollah të mbështetur nga Irani.

“Gjithashtu, Izraeli duhet të tërheqë trupat e tij nga territori libanez”, tha Baerbock në Bejrut pas bisedimeve me presidentin libanez, Joseph Aoun.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që ky armëpushim të vazhdojë”, shtoi ajo.

Baerbock, shoqërohej nga eksperti i politikës së jashtme, Armin Laschet nga Kristiandemokratët (CDU), i cili po merr pjesë në bisedimet e saj si anëtar i komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut.

Ndërsa Baerbock dëshiron të japë dorëheqjen nga mandati i saj në Bundestag dhe të bëhet kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator, partia e Laschet shpreson të qeverisë Gjermaninë në koalicion me Socialdemokratët pas zgjedhjeve parlamentare muajin e kaluar.

Në Bejrut, Baerbock paralajmëroi se një pushtim i përhershëm i territorit libanez nga trupat izraelite mund të përdorej nga Hezbollahu si një pretekst për akte terroriste.

“Vetëm një zgjidhje që respekton interesat izraelite të sigurisë dhe integritetin territorial të Libanit do të mundësojë kthimin e personave të zhvendosur në të dy anët e kufirit”, tha ajo.

Armëpushimi, i cili u ra dakord në fund të nëntorit pas një viti lufte midis Izraelit dhe Hezbollahut libanez, parashikonte tërheqjen e plotë të trupave izraelite.

Kjo tani është realizuar në masë të madhe, por ka ende pesë poste ushtarake izraelite pranë kufirit.

Udhëheqja libaneze e sheh praninë e trupave si shkelje të marrëveshjes dhe ka protestuar kundër saj në disa raste.

Vizita e Baerbock në Lindjen e Mesme vjen një ditë pasi Izraeli rifilloi sulmet e tij kundër grupit militant palestinez Hamas në Gazë, duke vrarë qindra njërëz dhe duke prishur armëpushimin në fuqi që nga janari. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›