Berisha: Ndihem shumë mirë, ajo që pësova ishte një episod
“Ndihem shumë mirë, ajo që pësova më datën 12 dhjetor ishte një episod lipotemie i lidhur me një virozë dhe ky është i treti që kam pësuar gjatë jetës sime”. Kështu e nisi fjalën e tij kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë i pari aktivitet publik pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të tij në festën e 21-vjetorit të themelimit të PD, dy ditë më parë në Tiranë.
“Në jetëm time kam pësuar tre episode. E para ndodhi në vitin 1988 që më imponoi të bëja një ekzaminim dhe që doli ishte në kuadrin e një viroze. E dyta ishte në Vlorë në vitin 98 dhe e treta që ishte e çuditshme se ishte më e lehta edhe ky në sfondin e një viroze” ka theksuar Berisha.
Kryeministri Berisha duke ripërsëritur se gjendja e tij shëndetësore është mjaft e mirë theksoi se organizmi i tij tregoi se nuk ka moshë. “Shpjegimi është hiper energjia. Në tërësi këto japin temperatura të larta, kurse në një organizëm që reagon fuqishëm krijohen episode të tilla të cilat kanë ardhur në zvogëlim. Pra ndjehem shumë mirë. Rezultoi që sistemi i të gjitha enëve të gjakut nuk kishte asnjë pllakë estaromtoze. Kjo do të thotë; sistem që nuk ka moshë”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu ka falenderuar ekipin mjekësor që u kujdes për shëndetin e tij dhe qytetarët të cilët me urimet e tyre kanë qënë ilaçi më i mirë për shërimin e tij.
Çështje të tjera që kryeministri Berisha iu referua në mbledhjen e qeverisë ishin licensat, lejet e ndërtimit dhe autorizimet për bizneset. Sipas tij qeveria ka bërë një punë të madhe për licencat duke hequr 2/3 e tyre ndërsa ka shtuar se në vitin 2010, Shqipëria u rendit në vendin e 131 në botë, për lejet e ndërtimit.
Ndërsa iu referua krizës së borxheve që ka përshirë gjithë Europën, kreu i qeverisë tha se mbetet detyrë që të zgjerohen hapësirat e lirisë për bizneset pasi çdo hap në këtë drejtim është i një rëndësie jetike.
“Duhet të përqëndrohemi në reformën ekonomike në mënyrë që dallgët e krizës të mos e përfshijnë këtë vend. Duhet të mbajmë ende rritjen ekonomike e cila është shumë e rëndësishme për shqiptarët” ka theksuar më tej Berisha.