Mblidhet komisioni parlamentar për reformën zgjedhore
Mblidhet për të dytën herë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore. Tryeza e dytë për reformën zgjedhore do të zhvillohet rreth orës 13:00 pa praninë e mediave ku përveç përfaqësuesve të partive politike marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në mbledhjen e kaluar u zgjodhën ekspertët që do të identifikojnë gjithçka të nevojshme për të vijuar më tej punën në tryezë për kryerjen e reformës zgjedhore.
Gjithashtu përfaqësuesit e 6 partive parlamentare, në prani edhe të ambasadorëve të huaj të akredituar në vendin tonë, ranë dakord edhe për pikat mbi të cilat do të punohet deri në fillimin e muajit mars të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë partitë e vogla, të majta e të djathta propozojnë që sistemi aktual zgjedhor, proporcional rajonal të përmirësohet në mënyrë që të barazohet vlefshmëria e votës. Ato kërkojnë që pa ndërhyrë në kushtetute të mund të parashikohet një korrektim kombëtar.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar më herët se janë përgatitur edhe letrat të cilat do t`i dërgohen OSBE-së dhe Komisionit të Venecias për asistencën dhe mbështetjen e tyre për reformën zgjedhore.