E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ndihmë banorëve të izoluar, import të energjisë

Kryeministri Berisha duke iu referuar situatës nga reshjet e dëborës në zona të ndryshme të vendit u kërkoi deputetëve të japin kontributin e tyre për të ndihmuar banorët e zonave të bllokuara. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha ka pranuar se situata hidrike në vend nuk është në favor të prodhimit të energjisë por garantoi se qeveria do të mbështesë KESH-in për importin e energjisë pavarësisht çmimit tejet të lartë.

“Ky është një dimër që ka rikthyer në memorien e shqiptarëve ato dimra të dikurshmit përsa i përket dëborës dhe nga ana tjetër shoqërohet edhe me pakësimin e të ujrave në kaskadën e Drinit. Ne do të bëjmë gjithçka që ajo të mos mungojë për shkak të furnizimit. Ne do ta blejmë ata sa kohë do ta gjemë në mënyrë që vendi të mos vuajë mungesën e saj. Në çdo rrethanë do të përballohet me ndërhyrjen e buxhetit sepse mundësitë e tjera janë ezauruar tërësisht. E vërteta është që pavarësisht nga reshjet e shiut apo borës në zonën verilindore të vendit, digat janë në nivelet më të ulëta historike të tyre” theksoi kryeministri Berisha.

Sipas Berishës, situata hidrike është problematike për prodhimin e energjisë, por ai garantoi se nuk do të ketë ndërprerje të saj pasi qeveria vazhdon t`i mbetet principit, se çmimi më i lartë është mungesa e saj.  “Situata është jo pak problematike për energjinë elektrike por ne i mbetemi principit që çmimi më i lartë është mungesa e saj. Ne do të mbështesim KESH-in për importimin e sasisë së nevojshme ndërkohë që konsumi ka arritur vlera të mëdha” ka shtuar më tej Berisha.

Kryeministri Berisha ka ironizuar edhe deklaratat e kreut të PS-së Edi Rama në rrjetin social “Twitter” për ekonominë. “Unë e kuptoj që ai zorëria që bën ciu ciu që i kanë thënë mos dil në media se humbet votat prandaj bën ciu ciu. As e vuan shumë suksesin e ekonomisë së vendit. Sukesi i ekonomisë e dëshpëron gjer në palcë sepse ai është i vetmi që i tha shqiptarëve në 2009-ën që qeveria nuk do të rrisë rrogat ndërkohë që ne e afruan rritjen e rrogave më përpara vetëm për të mos e lidhur me zgjedhjet. Në 2010 ai e quajti akt kriminal rritjen e rrogave dhe pensioneve, por shqiptarët e panë që rritja e rrogave është akti më human dhe zotëria atëherë nuk bënte ciu ciu por dilte në konferenca” ka theksuar Berisha.

Ai ka theksuar se kreu i opozitës nuk merret me realitetin për ekonominë por me anë të fantazive të tij manipulon mediat.  “Atij i falimenton Fideli dhe ai kujton se ka falimentuar bota. Ky zotëria që asfaltoi gjithsej 12 km në 4 vite harron se në këto 4 vjet po ndërtohen mijëra km rrugë në mbarë vendin dhe në këto kurorë e infrastrukturës është Rruga e Kombit. Dhe unë e përgëzoj që i lejon deputetët të shkojnë andej se më parë nuk i lejonte. Ky zotëria nuk merret me realitetin por me fantazitë që krijon dhe me fabrikën e tij të prodhimit manipulon në mënyrë trashanike mediat që i kontrollon. Por prap dua ta pranoj se që kur bashkia u vendos mbi baza të reja edhe gjërat po shkojnë drejt propocioneve normale në të gjitha aspektet” ka shtuar më tej Berisha.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›