Berisha-Sanninos:Të angazhuar për reformat

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino ka deklaruar se zhvillimet pozitive të muajve të fundit, kanë sjellë normalizim të klimës politike, ndërsa ka shtuar se BE ndjek me interes progresin në reformën zgjedhore, atë parlamentare, miratimin e ligjeve me 3/5, si dhe përgatitjen e Planit të Veprimit. Në një takim me kryeministrin Berisha, Sannino shprehu besimin në vendosmërinë e tij në çuarjen përpara të axhendës evropiane.
Nga ana e tij, rikonfirmoi se integrimi evropian mbetet prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare ndërsa vlerësoi pozitivisht normalizimin e jetës politike në vend që pasoi në nënshkrimin e marrëveshjeve në fund të vitit 2011.Kryeministri theksoi se zhvillimet e shkuara kanë vënë në pah rolin themelor dhe rëndësinë e padiskutueshme të respektimit, me vullnet të mirë politik, të shtetit të së drejtës, Kushtetutës dhe zbatimit të ligjit, si kusht për progresin e vendit dhe integrimin e tij evropian. Ai siguroi se respektimi i këtyre parimeve do të karakterizojë qëndrimin edhe në të ardhmen të mazhorancës së drejtuar prej tij.
Në takim u diskutua edhe mbi vazhdimin e reformave që vendi ndërmerr në fushën e ekonomisë, transparencës së qeverisjes, reformën në drejtësi, etj. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim në lidhje me rëndësinë që ka paraqitja tek vendet anetare të BE-se e Planit të Veprimit dhe prioriteteve të masave të tij, bashkarisht nga qeveria dhe Parlamenti, si një mesazh i një angazhimi të përbashkët të faktorëve të spektrit politik në funksion të integrimit, në mënyrë të veçantë në marrjen e vendimit mbi statusin e vendit kandidat.