Berisha lojë me shifrat: Në 4 vite 18% rritje ekonomike

Sali Berisha në nbledhjen me grupin parlamentar të PD-së
Sali Berisha, kryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij ka folur mbi suksesin ekonomik të Shqipërisë. Berisha në analizën e tij, mori në shqyrtim të dhënat për katër vitet e fundit duke hedhur dorë nga analiza 1-vjetore. Përveç kësaj loje me shifrat, Berisha duke folur për rritjen ekonomike të katër viteve të fundit nuk mori një mesatare të tyre por nxori një shumatore. Në këtë prizëm ai theksoi se në katër vite ekonomia shqiptare është rritur me 18% dhe se investimet e huaja kanë pasur një rritje prej 316%.
E vetmja ekonomi në Evropë që në 4 vite së bashku ka pasur 18% rritje ekonomike, tha Berisha. Në katër vite të marra së bashku kjo ekonomi ka bërë të mundur të dyfishohen rrogat. Në vende të tjera shkurtimi i rrogave nga qenë në ga 25 deri në 40%. Në Shqipëri janë rritur, në katër vitet e fundit sa as në një vend tjetër. Në vitet 2006-10 të rrisë investimet e huaja e me 316%, shtoi ai.
Kryeministri i vendit nënvizoi se Shqipëria edhe në kulmin e krizë ka krijuar vende pune. Pretendimet e opozitës, Berisha i ka cilësuar fantazi.
Rama nuk bind as njerëzit më të afërt të partisë së tij. Ka një fantazi. E vuan shumë, suksesi ekonomik i vendi e trishton deri në palcë, e dëshpëron. Tha 1 milion të papunë. Atë kohë nuk bënte ciu-ciu por dilte në konferenca shtypi, tha kreu i PD-së para grupit të tij parlamentar.
Berisha i është rikthyer kritikave ndaj drejtimit të Ramës në krye të bashkisë së Tiranës, edhe pse Rama nuk është më në drejtimin e saj prej më shumë se gjashtë muajsh.
Bashkia e Tiranës në katër vite ndonëse i katërfishojë taksat mbi qytetarët, mbi bizneset, faktikisht asfaltojë 12 km rrugë, tha Berisha duke shtuar se bashkinë e shndërrojë në sevape të partisë pasi rriti numrin e punonjësve në 5 200 në një kohë kur të gjitha ministritë të marra së bashkua kanë 4 000 punonjës.
Nga ana tjetër Berisha tha se qeveria ka asfaltuar mijëra kilometra rrugë, duke kujtuar si veprën më të rëndësishme Rrugën e Kombit. Për këtë ai bëri edhe një batutë duke thënë se Rama tani i lejon deputetët që të kalojnë në këtë rrugë.
Rruga Toptani është e ndaluar nuk qarkullon asnjë deputet socialist. Ju mund të qeshini por është absolutisht e vërtetë. Nuk vijnë se i mbet hatri atij. Asaj tjetrës ia ka heq traun se i binin nga Maqedonia kur shkonin në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij ai lajmëroi edhe vizitën për në Azerbajxhan, e programuar në datat 9-10 shkurt. Vizitë e cila u shpreh Berisha do të ketë në fokus projektin Trans-Adriatik që kalon në Shqipëri.
Florenc Stafa Redaksia OnLine* * * * *
(I përditësuar)- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi menjeherë pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha dhënë në Mynih të Gjermanisë, se modeli ynë ekonomik bazohet në standarte liberale.
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18 %, rritje në distancë më të lartën në Evropë”. Kreu socialist zgjodhi faqen e tij në rrjetin social Twitter, për t’iu përgjigjur në distancë kryeministrit.
Shumë shkurt, ai i drejtohet drejtëpërdrejtë kryeministrit, ndërsa me nota ironie deklaron se Berisha bën vendin tonë qesharak, sikundër flet për një model suksesi imagjinar.
Flet në mes të Gjermanisë për 18% rritje ekonomike e për një model suksesi imagjinar që e bën Shqipërinë të duket si ska më keq nëpër botë!
KM vijon ta bëjë qesharak vendin tonë duke eksportuar jashtë shtetit fjalimet e tij groteske për ekonominë. Turp i pamerituar për Shqipërinë, përfundon reagimin Rama.
Kreu i PS-së Rama, nënvizon më tej se ndryshimi është i domosdoshëm në Shqipëri.
Këto shfaqje brutale të marrëzisë në pushtet janë alarm për ndryshimin e domosdoshëm! Shqiptarët meritojnë një qeveri të denjë e të drejtë.
Jo pak herë, Rama ka zgjedhur faqet e tij të internetit për t’iu përgjigjur akuzave apo kritikave të kryeministrit Sali Berisha.
*********
Kryeministri Berisha u shpreh sot se modeli ekonomik i Shqipërisë do të vazhdojë të bazohet në standarde liberale, të cilat do zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në mbyllje të vizitës së tij në Mynih, në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do bëjë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike.
Sipas kryeministrit, Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18%, rritje më e larta në Evropë.
Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në këtë kontekst, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksat të larta, i cili përjeton vështirësi serioze, dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin ka shtuar më tej kryeministri.