Berisha: Ndjekje penale kush ndot mjedisin
Kryeministri me prefektët: Merrni masa urgjente për plehrat.
Do hapen 1200 zyra me internet falas për qytetarët
Krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda dhe qeveritarët vendorë duhet të jenë të parët që duhet të vendosin ta zbatojnë ligjin, duke proceduar e dërguar për ndjekje penale ndotësit e tij. Këtë deklaratë bëri dje Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë takimit të zhvilluar me prefektët dhe kryetarët e këshillave të qarqeve të vendit. Ai kërkoi të shënohet një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit. Po kështu Kryeministri bëri me dije se në të gjithë vendin do të hapen edhe 1200 zyra të reja, ku ofrohet internet falas për qytetarët. Do të jetë Posta Shqiptare që do të vërë në zbatim këtë iniciativë, e cila ka nisur me 510 zyra të shtrira në gjithë territorin. Ne do të vazhdojmë me vendosmërinë më të madhe politikat që lejojnë konsolidimin e përdorimit më të gjerë të universit internet nga qytetarët shqiptarë. Ky objektiv synon që qytetarët shqiptarë, ndër të tjera, të mësohen se ne shumë shpejt do të krijojmë sportelin unik të të gjitha shërbimeve për ta, tha Berisha. Duke u ndalur te plehrat, ai theksoi se zgjidhja e problemit, më shumë se në çdo gjë tjetër, ka impakt direkt në mbrojtjen dhe zhvillimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë, si dhe në imazhin e vendit. Kryeministri u shpreh se ky problem mund të trajtohet me sukses vetëm duke e konsideruar nga secili prej qeveritarëve vendorë dhe qendrorë, si problemin më kryesor e më shqetësues. Ky është një problem i komplikuar, por duhet të praktikojmë ndërhyrjet emergjente, të cilat janë përcaktimi me përparësi i të gjitha vendndodhjeve ku do të hidhen mbetjet, ripozicionimi i tyre, tha Kryeministri. Berisha kërkoi nga drejtuesit vendorë që në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe drejtoritë e mjedisit, të përcaktohet për çdo komunë zona e vendndodhjeve të plehrave. Ndërkohë, vijoi Kryeministri, do të bëjmë gjithçka, si për ndërtimin e landfilleve, ashtu edhe për ndërtimin e impianteve të djegies së tyre.
Dita e Shqipërisë së pastër
Data 20 prill është shpallur si Dita e Shqipërisë së pastër. Kryeministri theksoi se ka në çdo komunë, në çdo bashki zona tmerrësisht të ndotura. Në datën 20 prill, këto do të jenë ndër zonat më të pastra të Shqipërisë. Ministri e Mjedisit do tu japë fotot dhe hartat dhe ju do të ndërtoni të gjithë planin e veprimit që këto të mos ekzistojnë më. Këto ditë do të mobilizohet e tërë shoqëria, e tërë administrata, të gjitha shkollat dhe mjetet dhe gjithçka tjetër e duhur, për ti bërë një pastrim të merituar këtij vendi, u shpreh Kryeministri.