Familjet e varfra, 1.3 milionë euro kredi pa kolateral
Vihet në zbatim koncepti i biznesit social nga nobelisti Muhammad Yunus.
Të interesuarit, konkurs për të përfituar paratë.
Rreth 1.3 milionë dollarë për shtresat e varfra në formën e mikrokredive pa interesa. Për tiu ardhur në ndihmë, Ministria e Punës firmosi dje marrëveshjen me kompaninë gjermane Biznesi Social Yunus, që do të promovojë bizneset sociale në vendin tonë. Çdokush që do të aplikojë, do të konkurrojë për të përfituar paratë. Në garë për këtë fond mund të hyjnë edhe shoqata apo organizata jofitimprurëse, me kushtin e vetëm që në bizneset që do të hapin, të punësojnë vetëm persona nga shtresat e varfra. Marrëveshja e përbashkët parashikon nisjen e projektit më 1 prill. Fillimisht me trajnime dhe takime me të interesuarit. Më pas ai do të vazhdojë me konkursin për idetë që kanë ata në lidhje me çeljen e bizneseve. Në fund do të shpallen edhe fituesit që do të marrin fondet për të hapur bizneset e tyre. Ngritja e Biznesit Social në Shqipëri ka në bazë të tij akordimin e mikrokredive për më të varfrit dhe grupet e rrezikuara, të cilët janë të përjashtuar nga burimet e tjera të kredisë dhe me implementimin e kësaj Lëvizjeje nevojat e të varfërve dhe shtresave vulnerabël në shoqërinë shqiptare nuk do të plotësohen vetëm nëpërmjet mbështetjes financiare nga ndihma ekonomike, por nëpërmjet sistemit të mikrokredive do të kenë mundësi punësimi dhe vetëpunësimi, duke u shkëputur nga hendeku i varfërisë, tha ministri Ksera. Ndërsa drejtori i Nxitjes së Biznesit Social, Aleksis Rawlinson, tha se më shumë prioritet do të kenë gratë kryefamiljare, familjet me shumë fëmijë dhe ato më të varfrat. Në Shqipëri mendoj se bizneset më interesante që sugjeroj të hapin më të varfrit apo OJF-të të jenë agrokulturë, turizëm apo kujdes social kundrejt të moshuarve, grave apo dhe sektorë të industrisë. Shtresat e varfra mund të aplikojnë në çdo sektor. Granti i parë i dhënë nga qeveria shqiptare, prej 1.3 milionë eurosh, është vetëm për dy vjet dhe më tej ai mund të zgjerohet, tha Rawlinson. Përveç kësaj, Lëvizja Shqiptare e Biznesit Social do të përfshijë krijimin e një institucioni të ri mikrofinance për të siguruar mikrofinancë, të bazuar në metodën Grameen. Ajo do të përfshijë mikrokredi për më të varfrit, të cilët janë të përjashtuar nga burimet e tjera të kreditimit (përfshirë institucionet e mikrofinancës me kushte komerciale).Klientët e synuar janë gratë, zakonisht për shkak të ndikimit më të madh që kanë në mirëqenien e familjes. Kredi pa kolateral, shlyerja e garantuar nga modeli i kreditimit në grup dhe kalimin në kredi më të mëdha.Kredi për aktivitete që gjenerojnë të ardhura ose gjenerojnë vetëm përmirësimin e aseteve (jo për konsum).Një biznes social është një biznes, misioni i të cilit është trajtimi i një nevoje sociale apo mjedisore në një mënyrë financiarisht të qëndrueshme. Kostot e tij mbulohen nga të ardhurat që ai nxjerr. Koncepti i biznesit social ka lindur nga prof. Muhammad Yunus, fituesi i çmimit Nobel për Paqen në vitin 2006. Prof. Yunus është kryetari dhe pronari i kompanisë Biznesi Social Yunus.
Kreditë:
- Mikrokredi për më të varfrit, të cilët janë të përjashtuar nga burimet e tjera të kreditimit (përfshirë institucionet e mikrofinancës me kushte komerciale).
- Klientët e synuar janë gratë, zakonisht për shkak të ndikimit më të madh që kanë në mirëqenien e familjes.
- Kredi pa kolateral, shlyerja e garantuar nga modeli i kreditimit në grup dhe kalimin në kredi më të mëdha.
- Kredi për aktivitete që gjenerojnë të ardhura ose gjenerojnë vetëm përmirësimin e aseteve (jo për konsum).Aktivitetet e Lëvizjes Shqiptare të Biznesit Social:
- Inkubacioni i bizneseve sociale: konsultim, trajnimi dhe ngritja e rrjetit për projektet dhe sipërmarrësit e biznesit social.
- Sipërmarrje të biznesit social me fondin e investimit: investim për projektet më të mira të biznesit social.
- Një konkurs për idetë mbi biznesin social: konkurs për plan-bizneset dhe njohja e terrenit në të gjithë Shqipërinë.
- Partneritete me autoritetet lokale: krijimi i komunave të biznesit social.
- Aktivitete universitare: leksione, aktivitete me studentë dhe bashkëpunim me universitetet në mënyrë që të përfshijnë në kurrikulat e tyre biznesin social.
- Ndërgjegjësimi i publikut: raportime mediatike, ambasadorë të biznesit social & evenimente publike.
- Shkëmbime dhe investime ndërkombëtare: sjellja në Shqipëri e rrjetit të gjerë të biznesit social Grameen/Yunus.
- Projekti do të fokusohet te nevojat e anëtarëve më të varfër dhe më të brishtë të shoqërisë shqiptare.
Iniciativa e Kryeministrit
Zhdukja e varfërisë ekstreme është shpallur si një nga prioritetet kryesore të qeverisë deri në 2013-n. Ka qenë iniciativa e Kryeministrit Berisha për të sjellë përvojën më të mirë botërore në luftën kundër varfërisë, duke kontaktuar me nobelistin e njohur, prof. Muhamed Yunuss dhe kërkuar prej tij bashkëpunim me qeverinë shqiptare për të zbatuar Lëvizjen gjithëpërfshirëse të Biznesit Social në Shqipëri.
Nobelisti Muhammad Yunus, ose Bankieri i të mjerëve
Muhammad Yunus
Ekonomisti me origjinë nga Bangladeshi është shpikësi i sistemit të mikrokreditit, bazuar në huat e vogla që u jepen njerëzve shumë të varfër e ekstremisht të varfër, të cilët janë të përjashtuar nga mundësitë për të pasur kontakte me sistemin bankar normal, për ti ndihmuar ata që të krijojnë aktivitete të vogla prodhuese e shërbimesh. Që në vitin 1983, Yunus, i mbiquajtur si bankieri i të varfërve, është krijuesi i një banke të veçantë të quajtur Grameen Bank, por që nga të gjithë, për vetë llojin e aktivitetit, shtrirjen dhe objektivat bazë të punës së saj, njihet ndryshe dhe si banka e fshatit. Thelbin e filozofisë së tij Yunus e përmbledh me një shprehje që tashmë qarkullon në shumë artikuj, leksione apo studime: Studiuam atë që bënin bankat e zakonshme dhe vendosëm të bëjmë pikërisht të kundërtën.
ZIRINA LLAMBRO
