Gjykata e Tiranës i njeh mandatin Lulzim Bashës
Tiranë- Gjykata e Tiranës shpalli dje aktin e fundit procedural, që legjitimon Lulzim Bashën si kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës. Në një seancë që ka zgjatur rreth 25 minuta, gjyqtarja Elbana Lluri pranoi kërkesën e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës, për njohjen e mandatit të kryebashkiakut, të dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datën 25 qershor. Në seancën gjyqësore, që nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit të djeshëm, të pranishëm në sallën e gjyqit ishin dy përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, si dhe avokatja Erinda Ballanca. Në fillim të seancës, avokatja Ballanca kërkoi nga gjyqtarja Elbana Lluri të pranohet kërkesa e Lulzim Bashës, me objekt “vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, shpallur me vendimin nr. 1158 datë 25 06 2011 të KQZ”. Si provë në gjykatë, avokatja paraqiti vendimin e KQZ-së, i cili shpalli kandidatin e Partisë Demokratike Lulzim Basha kryebashkiak të Tiranës. Pasi dëgjoi kërkesën e avokates, e cila depozitoi edhe provat përkatëse, gjyqtarja Lluri e cila u përzgjodh me short për gjykimin e kësaj çështje, u tërhoq për marrjen e vendimit. Pas rreth 10 minutash, gjyqtarja tha se kërkesa e Lulzim Bashës për njohjen e mandatit pranohet, duke përmbyllur kështu rrugën ligjore për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës. Ky vendim, si dhe akti i vërtetimit të mandatit, i jep të drejtën kryebashkiakut të sapozgjedhur të marrë zyrtarisht detyrën për të cilën është votuar nga qytetarët e Tiranës. Në zbatim të ligjit për organizmin dhe funksionimin e pushtetit vendor, Basha ndoqi të gjitha procedurat ligjore pas vendimit të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, që rrëzoi pak ditë më parë kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve në kryeqytet. Me konstituimin e Këshillit Bashkiak, javën e ardhshme Lulzim Basha pritet të marrë detyrën dhe të bëjë betimin në ambientet e Bashkisë së Tiranës, në prani të anëtarëve të këshillit dhe Prefektit të Tiranës, Keltis Kruja. L.Bakillari