E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në Lezhë PD-së iu vodhën 1200 vota - s’e njohim pushtetin e dalë nga krimi dhe droga

22-07-2013 / Gazeta 55

Kryeministri reagon në Facebook pas rinumërimit të kutive të Lezhës ku diferenca PD-PS vazhdon të thellohet

“Ky është ndryshimi që donin trafikantët dhe miqtë e tyre! Por ne demokratët pushtetin e dalë nga krimi, droga dhe paratë e pista nuk do e pranojmë kurrë! Përpara për votën e lirë të shqiptarëve”

Kryeministri Sali Berisha shprehet se rinumërimi i votave të qarkut Lezhë ka faktuar vjedhjen e votave. Nëpërmjet një mesazhi në Facebook, Berisha shprehet se në këtë qark, Partisë Demokratike i janë vjedhur 1200 vota nga aleanca e majtë. Sipas tij, pushtetin e dalë nga 23 qershori, Partia Demokratike s’do ta njohë kurrë, pasi është pushtet i dalë nga krimi, droga dhe paratë e pista. “Të dashur miq, rinumërimi i fletëve të votimit dëshmoi se karteli i drogës që erdhi në pushtet me zgjedhjet e 23 qershorit ka vjedhur me dhunë, terror e para të pista 1200 vota vetëm në qarkun e Lezhës dhe tani, po me dhunë, terror dhe para të pista, duan të bllokojnë rinumërimin e votave dhe të mbrojnë mandatet e krimit. Ky është ndryshimi që donin trafikantët dhe miqtë e tyre! Por ne demokratët pushtetin e dalë nga krimi, droga dhe paratë e pista nuk do e pranojmë kurrë! Përpara për votën e lirë të shqiptarëve”, shkruan kryeministri Berisha. Nga rinumërimi i votave në Qarkun e Lezhës diferenca PD-PS po thellohet gjithnjë e më shumë, duke faktuar bindshëm manipulimin e rezultatit elektoral të 23 qershorit. Deri dje në mbrëmje, kur ishin numëruar më shumë se ½ e kutive të Lezhës, PD udhëheq me 1500 vota përpara PS. Kjo nuk rezultonte në tabelat e rezultateve që KZAZ-të kishin dërguar në KQZ, pasi këto vota i ishin shtuar Partisë Socialiste. Ndodhemi përpara një situate flagrante, një vjedhje të paprecedentë votash që për çudi të rastit PS dhe kreu i saj, Edi Rama jo vetëm që s’mbajnë përgjegjësi, por shkojnë deri në ekstrem kur kërcënojnë trupën e KQZ.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›