E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: PD, parti e vlerave mazhoritare - Bashkë do të fitojmë, se e ardhmja na përket”

22-07-2013 / Gazeta 55

Lulzim Basha, takim përmbyllës në Tiranë me mbështetësit demokratë


Deklaratat e forta të fjalimit të kryebashkiakut Basha


- Një mesazh për Edi Ramën: “Kush të ka mundur njëherë, është gati të të mundë përsëri”


- “Të gjithë së bashku kundër mazhorancës së zullumit - opozitë të pandashme ndaj dyshes Rama-Meta e rikthim në pushtet”


- “Shqipërisë do t’i japim alternativën e shpresës dhe forcën për të mbyllur tranzicionin”


Lulzim Basha zhvilloi dje në “Pallatin e Kongreseve”, takimin përmbyllës me mbështetësit demokratë, në kuadër të zgjedhjeve për kreun e ri të PD. Përmes një atmosfere entuziaste, Basha përcolli mesazhin e tij për të gjithë demokratët se me atë në krye të PD, do zhvillojnë një opozitë të fortë përballë mazhorancës së zullumeve, siç e cilësoi ai koalicionin e majtë, me qëllim rikthimin e shpejtë në pushtet që në përballjen e parë elektorale. “Kjo garë po vërteton se si ne, demokratët në momentet jo më të mira tonat rrezatojmë vlera dhe dinjitet për qytetarët e politikën shqiptare. Falenderoj nga zemra çdo anëtar që u përfshi në këtë proces të jashtëzakonshëm dhe emancipues. Të nisim rrugën tonë drejt rikthimit dhe fitores. Kemi vendosmëri për t’u ringritur” - u shpreh z.Basha. Ai lëshoi një thirrje për bashkim mes çdo demokrati, duke deklaruar se Partia Demokratike është parti e vlerave mazhoritare. “Në këtë garë, që në momentin e parë kam pasur një thirrje, kërkesa ime e parë, e dytë dhe e tretë ndaj çdo demokrati është që edhe sot të jemi më të bashkuar dhe me afër se kurrë me njëri-tjetrin. Ne jemi parti e vlerave mazhoritare, ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë”. Duke u shprehur se është përgjegjësi të kandidosh për kreun e ri të PD-së, Basha tha se nuk pretendon të zëvendësojë Berishën, por kandidon për të mos e lënë të ndalë orën e lirisë. “Askush nuk e zëvendëson Berishën, ai është lideri historik i PD, por ora e PD nuk mund të ndalë, është ora e lirisë dhe zhvillimit europian. Ne do t’i japim Shqipërisë alternativën e shpresës dhe forcën për të mbyllur tranzicionin, do ndërtojmë Shqipërinë moderne dhe Shqipërinë e konkurrencës globale. Nuk jam i shtyrë nga ambicia personale, sot marr përgjegjësinë time para çdo demokrati dhe mbështetësi për të ofruar gjithçka nga shpirti, mendja e trupi im”, tha ai. Duke komentuar rezultatin e 23 qershorit, Basha deklaroi se pas zgjedhjeve të reja brenda PD-së do të bëhet edhe një analizë për të gjetur pikat e forta dhe të dobëta të forcës së djathtë, më të madhe në vend. “Rezultati nuk ishte ai që prisnim, dëshironim, për të cilin kishim punuar. Këto ditë dhe javë kanë qenë të një reflektimi të thellë. Ky tur takimesh e ditët para tij më kanë dhënë mundësinë të ndjej dhe prek hidhërimin për humbjen të militantëve anë e mbanë vendit. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, edhe për dorëheqjen e liderit tonë historik, Sali Berisha”, tha Basha ndërsa shtoi se, “do bëhet një analizë për humbjen e zgjedhjeve, të evidentojmë pa emocion gjithçka që bëmë në këtë fushatë e vitet pararendëse”, tha ai. Sipas Bashës, një nga shkaqet e humbjes ishte mungesa e vëmendjes ndaj bazës, anëtarëve dhe militantëve të PD. Ai premtoi më tej, se në krye të PD-së do të respektojë vlerat e çdo anëtari, se do dëgjojë zërin e tyre dhe do i bëjë ata pjesë të vendimmarrjes në këtë parti. “Anëtari i PD është sovran i padiskutueshëm. Zgjedhjet do zhvillohen sipas parimit një anëtar një votë. Nuk ka, nuk shoh asnjë arsye që ky parim të mos jetë në statutin e PD. Unë do kërkoj mendimin e sovranit për çdo veprim, kjo duhet të kthehet në një normë standarde në punën e PD. Të mobilizojmë çdo mendje, e çdo shpirt, çdo anëtar”, tha ai. Basha nuk nguroi të akuzojë të majtën dhe t’i shpallë asaj luftë frontale e ballore, për ta nxjerrë sërish në opozitë. “Kundërshtari ka komplekse të thella me trashëgiminë dhe identitetin e forcës sonë politike. Në çdo prag zgjedhjes ndryshojnë ngjyrat, bëri mavinë e mashtrimit me ngjyrën tonë. Identitetin e tij nuk arrin ta shqiptojë”, tha Basha ndërsa nënvijëzoi se ata “vijnë nga një humnerë antivlerash”. Kandidati për kreun e PD, tha më tej se është i vendosur të bëjë një opozitë të fortë ndaj mazhorancës së re, të cilën e cilësoi si mazhorancën e zullumit. Ai tha se do bëjë çdo gjë për tu përballur me dyshen Rama-Meta. “Gati të bëj opozitë të fortë ndaj dyshes së zullumit Rama-Meta. Gati të përballem me këtë mazhorancë të zullumit”, vijoi ai. Ai shtoi se PS faktoi edhe nga rinumërimi i Lezhës se ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura. “PS ka ardhur në pushtet me vjedhjen e votave, këto janë vlerat e tyre, e dëshmon rinumërimi i Lezhës. Kanë vjedhur dhe abuzuar me votën e shqiptarëve, ai bërtiste për votat në 4 vite, ndërsa sot u faktua në Lezhë si hajduti i votave, më i pacipë me mjete banditeske”, shtoi Basha. Duke iu drejtuar Ramës, ai i kujtoi shprehjen “kush të ka mundur njëherë është gati të të mundë përsëri”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›