PD zgjedh sot liderin që di të fitojë
Mbi 100 mijë anëtarë të Partisë Demokratike janë thirrur sot të zgjedhin sipas parimit “një anëtar - një votë” liderin e ri, i cili do t’i udhëheqë në përballjet e ardhshme elektorale. Leksioni i demokracisë që po jep e djathta do prodhojë një kandidaturë me jetëshkrim fitues, që do ofrojë si alternativë përbashkuese frontin popullor kundër strukturave bolshevike që morën pushtetin me anë të vjedhjes dhe blerjes së votave
Partia Demokratike zgjedh sot fillimin e ri me një kryetar të dalë nga një garë serioze, të vërtetë dhe të dobishme që ka përfshirë mbi 100 mijë anëtarët e saj. Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi bënë një garë të denjë në PD dhe për Partinë Demokratike çka krijoi një atmosferë rigjeneruese, shembull i garës së ndershme, plot konkurrencë për të fituar zemrën e çdo anëtari. Për asnjë moment nuk duhet të harrojmë se PD-ja është një parti e vlerave të patjetërsueshme, e themeluar nga dashuria njerëzore për lirinë dhe urrejtja për kulturën shtypëse totalitare, të pakrahasueshme me asnjë forcë politike. Dhe kjo garë demonstroi edhe njëherë për vlerat demokratike që mbart PD-ja që s’ka asnjë lidhje me garat fantazmë të Edi Ramës në Partinë Socialiste apo Ilir Metës në LSI. Në PD nuk ka një Maqo Lakrori që ishte një marionetë e Edi Ramës për t’u hedhur hi syve opinionit publik pasi ndryshoi nenin e statutit për të rikandiduar pas humbjes elektorale. Padyshim ekziston në këto moment edhe bindja më e thellë e çdo anëtari të PD-së se, Sali Berisha është i pazëvendësueshëm në karizmin e tij galvanizuese. Çdo njeri që e ka takuar apo ka qenë në një nga mitingjet e tij madhështorë e di aftësinë e tij për të qenë një lider primus inter-pares, I pari mes të barabartëve. Forca, energjia, optimizmi, vullneti, qëndresa e Sali Berishës përballë komunistëve, socialistëve dhe së keqes janë produkti i një jete të shpenzuar për të ndryshuar fytyrën e Shqipërisë, që në ‘90 ishte një nga vendet më të varfra në botë dhe pas dy dekadash po vrapon drejt një Shqipërie të Zhvilluar. Falë tij dhe PD-së, Shqipëria u anëtarësua në organizatat në Këshillin e Evropës, OSBE, NATO dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen dhe po prêt marrjen e Statusit të Vendit Kandidat për në BE pas një punë të palodhshme të qeverisë Berisha. Kjo trashëgimi politike është në AND-në e dy kandidatëve për kreun e PD. Megjithatë PD-ja dhe anëtarësia do të zgjedhë në krye të saj liderin që di të fitojë, liderin që ka dhënë prova se di të fitojë duke përmbysur sondazhe e opinione. Në krye të kësaj fushate demokratët e dinë se kanë mundësi të zgjedhin një kryetar që i përket palcës së tyre politike, që ka formimin dhe përgatitjen e nevojshme perëndimore, që ka përvojën ekzekutive në politikën e brendshme dhe të jashtme, në transporte, punë publike dhe qeverisje vendore. Pra, një lider që njeh qeverinë qendrore dhe vendore në majë të gishtave, në mënyrë që të ketë ekspertizën e nevojshme për ndërtimin e një aksioni opozitar që do të rikthejë PD-në pozita për t’i dhënë vendit një marsh më shumë drejt standardeve më të mira demokratike. Anëtarësia do të zgjedhë sot një demokrat të cilit Partia Demokratike i besoi përballjen dhe sfidën e madhe elektorale, jo vetëm përballjen direkte me Edi Ramen, por edhe fitoren ndaj tij. Ky projeksion i fitores së ardhshme është nxitja më e mirë për çdo demokrat që të shpresojë dhe të punojë për fitoren sa më shpejt të jetë e mundur, në përballjen e parë elektorale. Shtresat tradicionale të PD-së, ku çdo i përndjekur politik, pronar e ri, profesionistët e fermer, biznesmen i vogël apo i mesëm, grupet e interesit, bota akademike, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë janë për një lider pa komplekse, plot energji që di të fitojë çdo beteje që i ka dalë përpara. Beteja politike nuk bëhet vetëm në parlament, ajo bëhet përditë në çdo takim apo mesazh i drejtpërdrejt që qytetari i delegon politikës të zgjedhë “hallet” e tij të përditshme. Lideri i fillimit të ri do të duhet të jetë një yll në ngjitje që shkëlqen për të ndriçuar halle dhe probleme të një politike që keqadministron paranë publike. Një yll në ngjitje që do të ndriçojë opozitën përballë obskurantizmit majtist që di amplifikojë vetëm anën negative të njerëzve. Një yll në ngjitje që do të bëjë që njerëzit të shprehin një dëshirë për vete, për fëmijët dhe për vendin e tyre.
...