E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhorancën që rithemeloi Partinë e vjetër të Punës, e rrëzojmë brenda dy vitesh

22-07-2013 / Gazeta 55

Olldashi, takim përmbyllës në Durrës dhe mesazh votuesve demokratë

Sokol Olldashi deklaroi nga Durrësi, qyteti i vendlindjes, por edhe i nisjes së karrierës politike, se Partia Demokratike kuotën e influencës “kingmaker” e ka në terrenin e të djathtës tradicionale. Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, theksoi se me një statistikë të saktë, të përndjekurit dhe ish pronarët kanë 11.8% të elektoratit.
“Aleancat formale, apo fluide me formacione, apo individë që vijnë përtej ylberit që ndan spektrin politik, nuk janë funksionale, nuk janë produktive, nuk janë të mira për Partinë Demokratike, pasi prodhojnë kosto. Kjo do të thotë që Partia Demokratike nga ky moment duhet të përcaktojë se lëviz vetëm në spektrin e rrethit politik që i përket. Lëviz nga qendra në të djathtë dhe konsolidon me shpejtësinë më të madhe marrëdhënien e vet me shtresat bazë të së djathtës tradicionale. Shpesh herë në bisedat me demokratët has në pyetjen se si do ta zgjidhim problemin e kuotës “kingmaker”. Ne e kemi këtë problem të zgjidhur. Statistikisht e matur, shtresa e të përndjekurve politikë dhe e pronarëve është 11.8%. Është më shumë sesa dyfishi i kuotës “kingmaker””- tha ai. Ndërkaq, në një konferencë për shtyp nga selia e PD, Olldashi deklaroi se mazhorancën që rithemeloi Partinë e vjetër të Punës, demokratët do ta rrëzojnë brenda dy vitesh. “Partia Demokratike do të rikthehet tek fitorja, në përballjen e parë elektorale, zgjedhjet lokale të vitit 2015. Në përfundim të kësaj fushate, vendimi kalon në duart e anëtarëve të Partisë Demokratike, ndaj unë dua edhe një herë t’i falënderoj të gjithë ata që ndenjën në krah, përballë, apo kithët meje në këtë fushatë. I ftoj të gjithë të marrin pjesë në votim, të vendosin secili në liri të plotë duke i siguruar se, cili do qoftë rezultati i këtyre zgjedhjeve, unë do të vazhdoj me të gjithë energjitë e mia, të punoj për suksesin e Partisë Demokratike dhe për ringritjen e demokratëve dhe të parimeve të shenjta tek të cilat ne bashkërisht besojmë”- përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›