E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Ne bëjmë të vërteta ëndrrat tona, Tirana dhe Elbasani bëhen një”

15-06-2013 / Gazeta 55

Nesër, ditë historike për Elbasanin dhe Tiranën - inaugurohet tuneli i Krrabës që lidh dy qytetet në vetëm 20 minuta

Investimi më i madh dhe më i rëndësishëm i këtij katërvjeçari qeverisës të Partisë Demokratike, është padyshim autostrada Elbasan-Tiranë dhe tuneli i Krrabës. Një projekt i nisur dy vjet më parë me shumë skepticizëm dhe barriera bllokuese që tentonin të bllokonin realizimin e tij, sot bëhet një vepër e vërtetë. Dita e nesërme do të jetë ditë historike për qytetarët e Elbasanit, Tiranës dhe më gjerë, jugut dhe juglindjes së vendit, pasi tuneli i Krrabës dhe autostrada bëjnë që kryeqyteti shqiptar të jetë më afër zonave të tjera të vendit. Volumi i punimeve në autostradë ka përfunduar në tërësinë e tyre dhe se gjithçka është gati për prerjen e shiritit të inaugurimit. Entuziazmin për këtë vepër madhore s’mund ta fshehë as kryeministri Sali Berisha, i cili përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” shprehet i emocionuar për përfundimin e tunelit të Krrabës, duke deklaruar se tashmë banorët e të dy qyteteve do të lidhen mes tyre në më pak se 20 minuta, nga 1 orë e 20 minuta aktualisht. Sipas kryeministrit, ajo që deri dje dukej e pamundur tashmë do jetë realitet. “Ajo që deri dje dukej e pamundur, të dielën do të jetë një realitet i prekshëm për të gjithë ne. Nga e diela Tirana dhe Elbasani do të jenë më afër se kurrë, vetëm 15 minuta. Mali i ndante deri dje, tuneli i Krrabës e bën sot Tiranën dhe Elbasanin një. Ne bëjmë të vërteta ëndrrat tona! Ky është zhvillim! Përpara!” - shkruan kryeministri Sali Berisha në Facebook. Autostrada Tiranë-Elbasan përbën, pas Rrugës së Kombit, veprën e dytë më të madhe publike që ndërtohet në historinë e kombit shqiptar Autostrada e re “bashkon” Elbasanin me Tiranën, i shndërron ato në një treg unik, ndër më të rëndësishmit në rajon. Afro 30 kilometër rrugë është segmenti që lidh Tiranën me Elbasanin, duke shkurtuar kohën me 50 minuta për udhëtarët, dhe kjo do të jetë jo vetëm në favor të qytetarëve të Elbasanit, por edhe të qytetarëve të Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut. Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli, me një gjatësi prej rreth 2,4 km. Me përfundimin e plotë të autostradës, shpejtësia e udhëtimit do të shkojë nga 100 në 120 km në orë. Ndërkaq, bashkë me këtë segment vital, qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 viteve të ardhshme të gjithë Boshtin rrugor të Jugut.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›