Berisha miting madhështor në Tropojë, lumë akuzash ndaj Ramës
Si rrallë ndonjëherë në historinë e tij, qytetarët e B. Currit kanë tejmbushur qëndrën e qytetit, në një miting madhështor në nder të birit të tyre, kryeministrit Sali Berisha. Kryeministri Berisha në fjalën e tij duke ju referuar investime të qeverisë në këtë zonë, theksoi se katër vitet e fundit kanë qenë vite ndryshimi për Tropojën dhe Shqipërinë. Nën entuziazmin e simpatizantëve, askund më mirë se në Tropojë Berisha nuk do të mund të drejtonte ftesën ndaj socialistëve për tiu bashkuar alternativës së PD.
Sëbashku kemi bërë gjithçka që pasuritë e Tropojës dhe Shqipërisë të shndërrohen në mirësi, rroga dhe mirëqënie për ju. Janë asfaltuar këto vite rrugë në të katër anët e rrethit të Tropojës, janë ndërtuar dhe rindërtuar shumica e shkollave të këtij rrethi. Vajzat dhe djemtë e e rrethit tuaj nuk përjashtohen më si para 8 viteve nga e drejta e studimit. Kemi dyfishuar pensionet, kemi rritur rrogat e arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve, kemi rritur mirqënien në mbarë Shqipërinë. Vitet e fundit Tropoja dhe Shqipëria njohën ndryshimet më të mëdha historike. Alternativa jonë bazohet në një ndërmarrje të përbashkët për të zhvilluar vendin. Sot jam këtu për tiu drejtuar një thirrje vëllazërore të gjithë socialistëve të Tropojës dhe mbarë Shqipërisë, bashkohuni me ne, me projektin tonë. Ju ju bashkon me ne përpjekja për të ndërtuar një infrastrukturë dinjitoze në katër anët e vendit, përpjekja për krijimin e vendeve të reja të punës, për Tropojën dhe Shqipërinë turistike, Tropojën dhe Shqipërinë europiane deklaroi Kryeministri.