Berisha: Ne rrisim pagat, politika fiskale e Ramës shton të varfrit
Heqja e tatimit mbi të ardhurat, përfitojnë 215 mijë punonjës të sektorit publik dhe privat
Mbi 215 mijë punonjës në sektorin privat e publik, përfitojnë nga rritja e pagës me 10% nga heqja e tatimit mbi të ardhurat personale. Kryeministri Sali Berisha detajoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, masën më të re fiskale që do të ndërmarrë së shpejti qeveria për heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale prej 10 përqind, për pagat deri në 30 mijë lekë. Nga kjo masë, u shpreh kryeministri, do të përfitojnë rritje me 10 përqind të pagave mbi 200 mijë punonjës në sektorin privat me pagë deri në 30 mijë lekë dhe përafërsisht 15 mijë punonjës të të gjitha sipërmarrjeve publike dhe sektorit publik qendror e lokal me këtë nivel page. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë vendim si rezultat të aplikimit të taksës së sheshtë dhe njëherazi u shpreh për konsolidimin e sistemit aktual të taksave kundrejt propozimeve të opozitës për taksën progresive. “Kjo masë në të vërtetë përbën mbështetjen direkte, më të fuqishme, që qeveria shqiptare ju ka dhënë ndonjëherë të punësuarve të sektorit privat, pasi gjatë këtyre shtatë viteve, në përputhje me programin tonë, ne kemi rritur në mënyrën më të fuqishme rrogat e pensionet e sektorit publik. Rritje që ka bërë që rroga mesatare nga 24 mijë lekë të shkojë në 57 mijë lekë. Ky është rezultati i politikës sonë të rritjes së rrogave e pensioneve. Natyrisht, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ekziston një paralelizëm midis rrogave të sektorit privat dhe atij të publik. Në disa vende prijnë rrogat e sektorit publik, në të tjera më i paguari në tërësi është sektori privat. Një gjë është e sigurt: Me rritjen e rrogave të sektorit publik, ne kemi ndikuar fuqishëm e kemi udhëhequr këtë politikë në të gjithë vendin, çka do të thotë që politika e ndjekur në sektorin publik është ndjekur në mënyrë të pashmangshme edhe nga sektori privat. Por me këtë vendim, që së shpejti do të shkojë në parlament, ne si qeveri realizojmë një rritje 10 përqind të pagës të të gjithë punonjësve në sektorin privat e publik. Në sektorin privat deri tani janë të evidentuar 200 mijë punonjës dhe kjo rritje prej 10 përqind është 1.2 rroga në vit. Kjo është rritja më e madhe që këta punonjës kanë njohur në tërë jetën e tyre, në këto sipërmarrje. Kjo rritje konsolidon më tej taksën e sheshtë. Nuk ka diskutim që taksa e sheshtë është taksa më optimale, por, gjithnjë, si çdo model, edhe modeli ynë ultraliberal ka nevojë për përmirësime, ka nevojë për reformimin e tij të vazhdueshëm dhe ky është një reformim në frymën e tij. Po të mos ishte taksa e sheshtë, nuk do mund të imagjinohej vendimi që do të merret së shpejti nga kjo qeveri. Është pikërisht taksa e sheshtë që bëri të mundur marrjen e këtij vendimi”- u shpreh kryeministri.
Rritja e pagës me 10 përqind për punonjësit me pagë deri në 30 mijë lekë, si efekt i heqjes së tatimit mbi të ardhurat personale, do të ngushtojë edhe më tej diferencën midis nivelit të pagave në vend. Si rezultat i politikës konstante të rritjes së pagave, theksoi kryeministri Berisha, diferenca midis pagës së kryeministrit dhe mësuesit, nga 1 me 9 që ishte shtatë vjet më parë, sot është në raportin 1 me 4.5 dhe ulet, ndërsa garantoi se qeveria është e vendosur ta ngushtojë më tej këtë diferencë.
Duke i konsideruar spekulative dhe mashtrime, deklarimet e opozitës lidhur me taksën e sheshtë, kryeministri Sali Berisha u shpreh se ajo është e njëjtë si përqindje, por e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë pagat e të ardhurat nga njëra-tjetra. Sipas tij, politika fiskale që propozon kreu i opozitës, Edi Rama shton të varfrit. “Ata, të cilët sulmojnë taksën e sheshtë, e sulmojnë kryekëput nga pozita spekulative. Pretendimi se ajo është e njëjtë për të gjithë është një mashtrim absolute, mashtrimi më i paskrupullt. Ajo është e njëjtë si përqindje, por e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë rrogat e të ardhurat nga njëra-tjetra. Në thelbin e në të vërtetën e saj, ajo është taksë proporcionale, por, natyrisht, jo në urrejtjen ndaj të pasurve. Në mënyrën më të përsëritur, politika që kanë synuar të zgjidhin problemet e të varfërve, duke shkatërruar të pasurin, kanë falimentuar totalisht dhe kanë sjellë të kundërtën, kanë shtuar në progresion gjeometrik numrin e të varfërve. Ato janë politika që bazohen në instinkte, fakultetet e errëta të njeriut, të zilisë për atë që ka. Politika, të cilët janë elaboruar apo kanë dalë në Shqipëri nga arkivat e Partisë së Punës të Shqipërisë, siç ishte rasti i taksës Koleka, që gazetarët investigativë gjetën edhe dokumentin e tij, por që do u mbetet vetëm arkivave” - deklaroi kryeministri.
...