E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: Ekonomia shqiptare do të jetë e aftë të gjenerojë dhjetëra mijëra vende pune

31-01-2013 / Gazeta 55

Në fokus të reformave të qeverisë, tërheqja e investitorëve


Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të të gjitha reformave fiskale të ndërmarra nga qeveria me impakt të drejtpërdrejtë pozitiv në nxitjen e biznesit dhe rritjen e punësimit. Por, kryeministri cilësoi të rëndësisë së veçantë në drejtim të realizimit të objektivave të qeverisë, heqjen e TVSH-së për makineritë e importuara që përdoren për prodhim, nga të gjitha llojet e bizneseve si dhe heqjen e tatimit mbi të ardhurat për rrogat nën 300 mijë lekë të vjetra. “Nga kjo masë janë përfitues qindra e mijëra biznese, sepse këtu përfshihen edhe fermat. Hapi i dytë i madh dhe ndër më madhorët është kjo që ndërmarrim: heqja e taksës mbi të ardhurat personale për punonjësit deri 30 mijë lekë. Kjo e bën Shqipërinë, në rrafshin e krahut të punës, një nga vendet më kompetitive në rajon, Europë e më  gjerë, e bën një nga vendet më tërheqëse për krahun e punës. Investitori, që do të vijë në Shqipëri, do t’i sjellë makineritë pa TVSH, do punësojë qytetarë dhe për ata që kanë rroga nën 30 mijë lekë pa taksën e të ardhurave personale. Ndokush mund të thotë se ç’janë këto rroga nën 30 mijë lekë. Sigurisht nuk janë të larta dhe çdo njeri meriton më shumë, por më duhet t’i them këtij zotërie apo zonje: lexo reformat e bëra në këtë drejtim nga vendi lokomotivë i ekonomisë europiane, Gjermania, lexo se si ekonomistët e këtij vendi, “thin tank” të shquar, futën konceptin e minirrogës, të minipunës dhe e bënë krahun e punës në Gjermani ndër më fleksibël e të shkëlqyerit se në ndonjë vend tjetër. Edhe ne do të punojmë shumë për krahun e punës”- tha Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se i gjithë rezultati i reformave, është matur e do të matet me krijimin e vendeve të reja të punës. “Ju lexoni e dëgjoni rëndom se si dyfishohet e rritet mbi dy herë papunësia në vende të tjera dhe kjo jo vetëm në Greqi, Spanjë e në vende të tjera të Eurozonës, por edhe në vende jashtë Eurozonës përreth nesh. Kjo nuk ndodh në Shqipëri, përkundrazi, ka rënie progresive të papunësisë. Jam i bindur se edhe me këtë paketë të re reformash të rëndësishme, ekonomia shqiptare do të jetë e aftë të gjenerojë dhjetëra mijëra vende pune për Shqipërinë e shqiptarët”- vijoi ai. Sipas kryeministrit, Shqipëria nuk ra në krizë pikërisht për shkak të reformave të thella, të cilat janë vlerësuar dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si nisma eficente për ruajtjen e tregut të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm. “Ne nuk ramë në krizë, siç e ka afirmuar në mënyrën më të përsëritur Fondi Monetar Ndërkombëtar, ky institucion prestigjioz botëror, partner i rëndësishëm i Shqipërisë, këto 20 vite. E vërtetë, ne nuk ramë në krizë për shkak të reformave të mëdha që ndërmorëm, por nga kriza, ne do të nxjerrim mësime dhe një nga mësimet më madhore është tregu i punës, ruajtja e fleksibilitetit të tregut të punës, investimi në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe ne po e bëjmë këtë. Kriza botërore është edhe një mundësi që ne të bëjmë gjithçka, jo vetëm për ta përballuar atë, por edhe për të pasur një ekonomi të qëndrueshme në dekadat që vijnë”- theksoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›