Berisha: Nga 1 shtatori do të sheshohen të gjitha ndërtesat abuzive në bregdet
Mbledhja - Kryeministri paralajmëron një maksioperacion në të gjitha njësitë vendore që drejtohen nga opozita
Kryeministri Berisha deklaroi dje, se më 1 shtator qeveria do të ndërmarrë një valë shkatërrimesh të ndërtimeve të paligjshme që janë ndërtuar në bregdetin shqiptar. Duke folur në mbledhjen e djeshme të qeverisë për turizmin, kreu i qeverisë theksoi se me anë të një dekreti qeveritar të gjitha ndërtimet e paligjshme nga Velipoja deri në Ksamil do të shkatërrohen. “Të babëzitur që shkoni e ndërtoni në rërë, tregoni se morali juaj është inekzistent. E gjithë forca e ligjit do të veprojë mbi ndërtimet tuaja, dëshmi e një babëzie të shpërfytyruar. I prishni vetë, sepse do u faturohet edhe prishja e tyre. Një dekret i veçantë duhet të përgatitet nga Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Drejtësisë për të qëndruar me të gjithë forcën e ligjit, ndaj këtyre pak njerëzve që duan t’ua shpërdorojnë shqiptarëve një pasuri përrallore që e kanë nga Zoti”, theksoi Berisha me ashpërsi ndaj atyre që kishin ndërtuar në mënyrë të paligjshme në bregdetin shqiptar. Nga ana tjetër, ai foli edhe për rritjen e numrit të turistëve këtë verë në Shqipëri. Shqipëria priti gjatë 7 muajve të parë të vitit, rreth 277 mijë turistë të huaj, më shumë sesa një vit më parë, deklaroi Berisha, duke shtuar se në këtë rritje kishin ndikuar edhe investimet e qeverisë në turizëm. I menjëhershëm në reagimin e tij ishte përfaqësuesi i PS-së, Ilir Beqja i cili theksoi se Berisha vijon të injorojë problemet reale që ka vendi, duke nisur nga zjarret në zonat turistike dhe deri tek ekonomia në krizë dhe informaliteti. Kryeministri foli për ndërtimet pa leje në perlat turistike, por në fakt demonstroi dështimin e qeverisë së tij në kontrollin e territorit, në zbatimin e ligjit të planifikimit të territorit. Kryeministri foli për bujqësinë, por sot fshatarët kërkonin nga Kryeministri i vendit të tyre zgjidhje për thatësirën, për parcelat e misrit që po thahen, për fushat e jonxhës ku prodhimi po përgjysmohet. Kryeministri foli për disiplinën fiskale, por nuk tha asgjë për borxhin publik që ka kaluar 800 miliardë lekë, për deficitin buxhetor 9 herë më të lartë se një vit më parë, theksoi Beqja.
Berisha: Këshilltari i njërit prej ministrave fjeti në makinë në Sarandë, se nuk gjeti dhoma. Kurse një këshilltar i imi e konsideronte veten fatlum, se kishte arritur të gjejë një dhomë të vogël në Orikum
Beqja: Kryeministri akuoz (ujor), siç na tregoi sot se ka qejf të vetëquhet, foli për turizmin malor, por nuk tha asnjë fjalë për hektarët e pyjeve që po digjen në këtë verë të nxehtë. Shërbimi zjarrfikës ankohet se nuk ka mjete
Berisha: Nga 1 shtatori do të sheshohen të gjitha ndërtesat abuzive në bregdet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip