E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ngjarja në Himarë, akt i shëmtuar

Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar vrasjen e 35 vjeçarit Guma në Himarë si një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm dhe ka kërkaur zbardhjen sa më parë të krimit.
Kreu i qeverisë theksoi se në rast se faktohet se krimi ka ndodhur për motive etnike, atëherë ai bëhet edhe më mizor. "ështe një gjest i një fanatizmi të verbër ekstrem. Nuk besoj të ketë shqiptarë që nuk e di se komuniteti në atë qytet është bilingual dhe jo sot, edhe 100 vjet më parë, por edhe 200 vjet më parë. Të përgjigjesh në gjuhën që preferon të përgjigjesh dhe të ndodhë kjo, është shumë e rëndë. Sidoqoftë këto do t'i hetoje dhe saktësojë drejtësia. Organet e rendit duhet që autorin ta vendosin para ligjit", u shpreh kryeministri.

Berisha tha se kishte kontaktuar edhe me kryetarin e bashkisë së Himarës, Vasil Bollano për ngjarjen. Kryeministri i shprehu ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të të dashurit të tyre. "I shpreh sërish familjes ngushëllimet për ndarjen nga jeta të të dashurit të tyre sepse është një akt i shëmtuar të vrasësh dikë duke u kthyer në shtëpinë e vet. është një akt barbar", nënvizoi ai.

Të premten në vendin e quajtur "Avli" në aksin që lidh qytetin e Himarës me Himarë-Fshat, disa të rinj kanë goditur me makinë motorin me të cilin udhëtonte 35 vjeçari, Aristotel Guma .

Para vrasjes, ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ku sipas burimeve, të rinjve nuk u ka pëlqyer e folura në gjuhë greke nga drejtuesi i motorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›