E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Niebel: Ndihma për integrimin, në procesin evropian

Kryeministri Sali Berisha është takuar sot me ministrin për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Dirk Niebel.
Në këtë takim, Berisha rikonfirmoi edhe njëherë prioritetin e madh të qeverisë shqiptare, atë të integrimit evropian, për të cilin ajo po përmbush të gjitha angazhimet e saj në këtë proces.

Nga ana e tij, zoti Niebel shprehu mbështetjen e Gjermanisë në të gjithë procesin e integrimit evropian, duke rritur edhe financimet e ardhshme për Shqipërinë. Po ashtu ministri gjerman vlerësoi se transformimet që ka pësuar Shqipëria janë thelbësore dhe se ato janë ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në vendet e Evropës Juglindore, në këto 20 vjet.
 

Kryeministri Berisha e njohu ministrin gjerman me zhvillimet më të fundit dhe progresin e bërë nga Shqipëria në shumë drejtime, duke përmendur veçanërisht rritjen e qëndrueshme ekonomike, si dhe krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja direkt, siç edhe u konfirmua dhe në raportin e fundit nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara.
 

Po ashtu, kryeministri Berisha i shprehu z. Niebel falënderimet e thella për ndihmën që qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë në 20 vitet e fundit, duke mbështetur reformat transformuese të Shqipërisë, si dhe për ndihmën e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian. Vlera e ndihmës gjermane në fushat prioritare, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik bilateral, arrin në 500 milionë euro, e fokusuar në sektorë shumë të rëndësishëm si energjetika, ujësjellës-kanalizime, arsimi, bujqësia, mbështetja e sektorit ekonomik, etj. mNë këtë aspekt, kryeministri theksoi se projektet e mbështetura nga qeveria gjermane janë një histori e vërtetë suksesi në Shqipëri.

Gjithashtu, z. Niebel theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një tregues domethënës i progresit që ka bërë Shqipëria, ndërsa nënvizoi se bashkëpunimi i Shqipërisë me Gjermaninë nuk është më thjesht si me një vend donator, por është një marrëdhënie mes partnerësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›