E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niebel: Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

“Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por tempin dhe ritmin e këtij procesi do e përcaktojë vet Shqipëria”. Kështu është shprehur në një konferencë për shtyp, ministri gjerman për Ekonominë, Dirk Niebel, i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në vendin tonë.
“Theksoj se ne, në kuadër të bashkëpunimit tonë mbështesim Shqipërinë në BE, por tempin dhe ritmin e këtij procesi do e përcaktojë vet Shqipëria”, u shpreh ai, për të shtuar se Gjermania vjen në Shqipëri si donatori më i madh në vendet e Ballkanit.
Në ditën e parë të vizitës së tij në vendin tonë, ministri gjerman ka zhvilluar takim me kryeministrin Berisha, ministrin e Ekonomisë, dhe kryetarin e opozitës, Edi Ramën.
Duke u ndalur në këto takime, ai theksoi se ka biseduar edhe për situatën politike në vend.
“Patëm mundësi të vinim theksin rreth faktit që është e rëndësishme bashkëjetesa paqësore. Të rinisë dialogu politik në vend. Një bashkëjetesë paqësore është kusht për zhvillimin ekonomik të vendit. Këto biseda që zhvilluam, ishin dialogje të hapura dhe miqësore”, vlerësoi ministri gjerman.
Në axhendën e vizitës në Shqipëri të Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, bën pjesë edhe një vizitë në qytetin e Beratit, ku ai do të informohet rreth projektit “Furnizimi me ujë të pijshëm i Shqipërisë së Mesme” si dhe do të marrë pjesë në inagurimin e linjës së ujësjellësit Berat-Kuçovë, ndërtuar në kuadër të këtij projekti, thekson deklarata e ambasadës gjermane në Tiranë. Ministri Dirk Niebel dhe delegacioni, që e shoqëron, do të vizitojnë edhe kalanë dhe qytetin e vjetër të Beratit, te shpallur prej UNESCO-s pjesë e trashëgimisë së kulturore botërore.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›