Rama-Niebel, në fokus të bisedimeve, situata politike
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar një takim me Ministrin e Bashkëpunimit Ekonomik të Gjermanisë, Dirk Niebel. Në takim u fol për situatën politike në Shqipëri, për sfidat që shoqërojnë vendin në rrugën drejt integrimit europian, për ndihmën dhe asistencën e Gjermanisë si një ndër partnerët kryesor në rrugën e zhvillimit dhe demokratizimit.
Kryetari i PS, Edi Rama, falenderoi qeverinë gjermane për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e zhvillimit dhe e konsideroi të domosdoshëm intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Gjithashtu, Rama bëri një ekspoze të situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri, duke bërë të njohur qëndrimin e PS në lidhje me situatën aktuale. Një tjetër pikë për të cilën u fol në takim ishte demokracia në vendin tonë dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës.
Ministri Niebel, nga ana e tij shprehu interes mbi pikëpamjet e opozitës për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit, si dhe hapat që duhet të ndjekë Shqipëria në rrugën e zhvillimit europian.
Më pas kryetari i PS, Edi Rama shkëmbeu pikëpamjet e PS-së me deputetët e Bundestagut Gjerman, që merrnin pjesë në takim. Takimi zgjati për më shumë se një orë dhe të pranishëm ishin Mimi Kodheli dhe Dimtmir Bushati, deputetë të PS.