Berisha: Një Tiranë e tëra në dispozicion të qytetarit

Sali Berisha / foto arkiv
Projekti për zgjatimin e bulevardit duhet të rivendosë në epiqendër qytetarin. Kështu e hapi fjalën e tij kryeministri Berisha në ceremoninë e prezantimit të projekteve për zgjatimin e bulevardit Zog I.
Berisha vlerësoi punën e Bashkisë së Tiranës për rregullimin e sheshit Skënderbej dhe theksoi se për Tiranën, një ndryshim i tillë ishte jetik.
Duhet të rivendoset edhe një herë në epiqendër qytetari. Një nga historianët më të mëdhenj të kohërave thotë se qyteti që nuk ka hapin e njeriut është i lemeritshëm. Uroj që të kihet parasysh shumë kjo. Zoti Basha, ju keni bërë një ndryshim të shpejtë të sheshit. Nuk dua të komentoj nëse mund të bëhej në forma të tjera, por ndryshimi ishte jetik. Ishte i egër sa vetë egërsia ndaj kalimtarëve, tha Berisha.
Duke vlerësuar kontributin e shoqërisë civile që mbron çështjet e mjedisit, Berisha tha se projektet e reja duhet të jenë të tilla që ti lënë qytetarit hapësirat që i duhen.
Një Tiranë e tëra në dispozicion të qytetarit. Hapësirat që i duhen qytetarit. Ju keni shpallur nismën e Tiranës qytet i shëndetshëm dhe keni rastin që në këtë projekt të mbani parasysh këtë nismë për qytetarët e saj. Është faktuar se 40 për qind e sëmundjeve të njeriut vijnë nga ndotjet e ajrit, ujit dhe tokës. Qeveria donte të mbështeste edhe paraardhësin tuaj, por atij nuk i interesonte qytetari, tha Berisha. / G.N.