Berisha: Njerëz me pushtet abuzuan me pronat
TIRANE-Kryeministri Berisha mblodhi sot paradite në Këshillin e Ministrave në një takim pune 12 prefektët në shkallë vendi si dhe anëtarë të Komisionit për tokën për të diskutuar për provesin e titujve të pronësisë. Në fjalën e tij kreu i qeverisë shqiptare tha se qeveria ka trashëguar një numër shumë të madh falsifikimesh të titujve të pronësisë; madje ai i krahasoi ato me “malin e Dajtit”.
Kryeministri akuzoi për falsifikime të titujve të pronësisë njerëz të pushtetit të të gjitha niveleve të cilët, sipas tij kanë përdorur pronën për tu pasuruar për nevojat e tyre personale.
Një tjetër problem është dhe titujt e pronësisë të trashëguara nga periudha e komunizmit. Sipas kryeministrit titujt e pronësisë nga kjo periudhë vijnë me shumë pak të dhëna.
12 prefektët do të drejtojnë komisionet që do ngrihen në lidhje me procesin e dhënies së titujve të pronësisë në mbarë vendin. Procesi pritet të fillojë këto ditë dhe të përfundojë pas tre vitesh në 2011. Kryeministri u kërkoi prefektëve që si parim të punës së tyre të kenë transparencën, dhe paanshmërinë në dhënien e e vendimeve për titujt e pronësisë.
Ligji për titujt e pronësisë u miratua pak ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë me votat e maxhorancës. Zëvendëskryeministri Genc Pollo do të jetë në krye të këtij procesi i cili do të kryesojë procesin e dhënies së titujve të pronësisë.
(s.g/BalkanWeb)