Berisha: Nuk e lëmë Marksin të shëtisë në rrugët e Shqipërisë
Kryeministri Berisha ka sulmuar strategjinë e socialistëve për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendi, e cila u paraqit një ditë më parë në Asmablenë e PS, si shtylla kryesore e programit të ri të kësaj force. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha e cilësoi propozimin e PS për taksën progresive si politikë marksiste.
Taksa marksiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend. Ata që mendojnë se do begatojnë vendin duke luftuar të pasurit, duke bllokuar privatizimin e koncesionin, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpalosin alternativën e etërve të tyre, e cila nuk mund të kthehet kurrë në këtë vend. Sistemi marksist nuk ka dhe nuk mund të ketë të ardhme. Ai është provuar që bazohet në rrënimin e të pasurve. Konsolidimi i bizneseve të tyre është mekanizmi themelor i rritjes së prosperitetit, që nga Adam Smithi deri sot. Ata le të merren me Marksin po të duan. Marksi në rrugët e Shqipërisë nuk do të mund të shëtisë më. E kanë provuar shqiptarët më shumë dhe në mënyrën më të tmerrshme se të gjithë të tjerët, u shpreh Berisha.