Berisha: Nuk kam asnjë draft në tryezë. Ai që e ka deklaruar këtë, mashtron

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka rritur dozën e pritshmërisë, duke mos e shuar ankthin për arritjen e një marrëveshjeje politike, kur ka bërë të ditur se nuk është opozita që duhet ta shpallë “deal”-in. I sapokthyer nga Kroacia, kreu i qeverisë dhe njëkohësisht lideri i mazhorancës, ka deklaruar se nuk ka asnjë draft në tryezën e tij të punës dhe sipas tij asgjë nuk ka marrë fund. Kreu i qeverisë shqiptare ka ndërmarrë një manovër politike për të mos i dhënë rivalit të tij politik mundësinë e marrjes së trofeut të triumfuesit nga procesi i protestave, por ka kaluar në një kundërofensivë politike.
“Gjatë këtyre dy ditëve kam dëgjuar të flitet, të shkruhet. Për këtë jam informuar aty ku isha, për pakte, drafte etj... Ju garantoj me përgjegjësinë më maksimale, se në tryezën time, në mënyrë absolute dhe kategorike nuk ekziston as edhe një draft tjetër, as edhe një pakt tjetër, as edhe një dokument tjetër nga askush dhe nga asnjë institucion europian apo perëndimor për këtë problem”. Kryeministri më pas ka ndërmarrë një manovër politike, duke bërë të ditur se krizën duhet ta zgjidhë vetë politika shqiptarë, pra sipas Berishës ndërkombëtarët mund të negociojnë, por jo të propozojnë drafte. “Më duhet t’ju rikujtoj se Bashkimi Europian në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se këtë çështje duhet ta zgjidhin shqiptarët dhe unë e kam përshëndetur dhe e përshëndes këtë qëndrim dhe e garantoj BE-në dhe çdo vend tjetër, çdo institucion tjetër, se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha mekanizmat e shtetit ligjor, mjafton respektimi i tyre, për t’i dhënë përgjigjen më të mirë këtij problemi dhe çdo problemi tjetër”, deklaroi Kryeministri, i cili në mënyrë indirekte ka hedhur dy silura ndaj ambasadorit Robert Bosch, kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë, i cili ka deklaruar dy ditë më parë se ekziston një draft i propozuar nga ndërkombëtarët. “Gjithçka tjetër jashtë kësaj që thashë është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin. Në mënyrë absolute është gënjeshtër, që ka në bazë mashtrimin. Këtë e them për të hequr çdo lloj aludimi”. Ky ishte sulmi i parë i Kryeministrit ndaj diplomatit holandez që drejton zyrën e OSBE-së në Shqipëri. I Dyti? Shumë më i drejtpërdrejtë: “Edhe kur ka rastisur që ndonjë diplomat të ketë bërë diplomacinë e megafonit, unë po këtë gjë kam deklaruar, që nuk bëj diplomaci megafoni, sepse nuk më duket se vlen. Por në tërësi axhenda ime përjashton nga komentet deklaratat e diplomatëve”.
#