Berisha: “Nuk kam menduar të jap dorëheqjen”
Eljona Ballhysa
Në përfundim të demonstratës së djeshme, pasi situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte qetësuar, reagoi për mediat kryeministri Berisha. Ai tha se në asnjë sekondë nuk ka menduar të japë dorëheqjen, pavarësisht situatës së krijuar. Kreu i qeverisë akuzoi atë që ai e cilësoi trojkën komuniste, Rama-Ruçi-Gjinushi, për organizimin e një skenari të tipit tunizian për të marrë pushtetin me dhunë. Kryeministri theksoi gjatë fjalës së tij se ta harrojnë të gjithë ata që mendojnë se mund ta marrin pushtetin me dhunë. Ai gjithashtu tha se institucionet e shtetit do të mbrohen, pavarësisht çmimit. Kryeministri, ndërsa shprehur keqardhjen për demonstruesit e vrarë, akuzoi se vrasësit e tyre ishin pjesë e skenarit. Sipas Berishës, personat janë vrarë nga afër me armë të lehta me silenciator, dhe jo nga Policia e Shtetit. Berisha tha se Prokuroria do të hetojë dhe do të zbardhë të vërtetën, ndërsa shtoi se Rama do të mbajë përgjegjësi shumëplanëshe për këtë situatë.
Qëndrimi
“Sot patë fytyrën e vërtetë, shëmtinë morale të Edvin Kristaq Ramës, ish-ministrit të Sigurimit të Shtetit të diktaturës, autorit të masakrës së Shkodrës; Gramoz Ruçit, ish-ministrit të Enver Hoxhës; Skëndër Gjinushit, projektuesit të një akti kriminal për të marrë pushtetin me dhunë duke angazhuar kriminelë, trafikantë të paguar.
Bastardët imagjinuan skenarin tunizian, të cilin e anunçuan disa ditë me radhë. Për orë të tëra, nën drejtimin direkt të Edvidn Kristaq Ramës, i vendosur në ndërtesë te kullat e Fidel Yllit, falangat e krimit, banditët, trafikantët dhe terroristët në më shumë se 200-300 veta tentuan të pushtojnë Kryeministrinë e vendit, t’i vënë asaj zjarrin dhe të vendosin këtu pushtetin e dhunës”, - është shprehur Berisha. Ai përshëndeti rolin e Policisë së Shtetit, e cila, sipas tij, bëri që të dështonte skenari i trojkës Rama-Ruçi-Gjinushi. “Unë jam sot këtu për të shprehur vlerësimin tim më të madh për të falënderuar Policinë e Shtetit për shkallën më të lartë të profesionalizmit, të trimërisë, të përgjegjësisë, e cila bëri të dështojë skenari puçist i trojkës Rama-Ruçi-Gjinushi”, - është shprehur Berisha.
Ai njoftoi gjithashtu se ka qëndruar në zyrë nga ora 14:30 e deri në mbrëmje dhe se në krye të detyrës kanë qëndruar të gjithë ministrat e kabinetit të tij qeveritar, ashtu sikurse dhe kryetarja e Kuvendit. Berisha tha se banditët të mos synojnë të sulmojnë institucionet, “se ju garantoj se unë Sali Berisha dhe të gjithë punonjësit e këtyre institucioneve, do t’ju rezervojmë atë që ju nuk e mendoni dot”. Kryeministri gjithashtu ka falënderuar faktorin ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë qeverinë e SHBA-ve, që ka shprehur qëndrimet e veta në favor të rendit demokratik.
I pyetur se si do t’i përgjigjet demonstratës në rast se do të vazhdojë ditët në vijim, Berisha tha se do t’i përgjigjet vetëm me forcën e ligjit. “Ligji, ligji dhe vetëm ligji. Cilido që guxon të shkelë ligjin do të përballet me pasojat e tij direkte. Kjo është absolutisht qëllimi i vetëm. E ftoj zotin Rama të mos provokojë popullin shqiptar”, - është shprehur Berisha, ndërsa theksoi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ai tha se zgjedhjet do të mbahen më 2013-n dhe se nuk do të lejojë marrjen e pushtetit me dhunë. “Ai që mendon se mund të vijë në pushtet me dhunë, mund të marrë çdo gjë tjetër, përveç pushtetit. Institucionet do të mbrohen me çdo çmim. Këto institucione s’do të mund t’i dhunojë njeri. Mjerë ai që mendon se mund të vërë këmbën brenda tyre”, - është shprehur Berisha.
Olldashi: “Rama do të ndiqet penalisht për vrasje me paramendim”
Deputeti i Partisë Demokratike, ministri Sokol Olldashi, ka bërë të ditur dje se kryesocialisti Rama do të ndiqet penalisht nga organet e Drejtësisë për vrasje me paramendim. “Që nesër, institucionet e Drejtësisë duhet të nisin procedimin penal ndaj zotit Rama për vrasje me paramendim”, - tha Olldashi. Ai lëshoi madje një akuzë të ashpër dhe publike duke thënë se ata njerëz janë vrarë nga Rama. “Fakti që ata janë qëlluar nga afër do të thotë se janë qëlluar nga turmat dhe Edi Rama është përgjegjës i tre të vrarëve”, - tha Olldashi. Ministri vlerësoi dhe reagimin e policisë, duke e cilësuar atë mjaft profesional, “pasi ajo ka arritur që të përballojë një situatë mjaft të vështirë”. Ai më pas ka kritikuar kryesocialistin Rama, duke pohuar se ai është një burracak, sepse ai e parapërgatiti gjithë skemën për të marrë, sipas tij, pushtetin me rrugaçë dhe më pas është fshehur. “Filozofia që mbart Rama është ajo e shtresës prej nga vjen, pasi ai është një pinjoll i regjimit komunist dhe di të bëjë atë që kanë bërë paraardhësit e tij. Nuk ka respekt as për votën dhe as për institucionet”, - tha Olldashi më pas. Duke shtuar, ndër të tjera, se bilanci i kësaj që ndodhi ishte shumë tragjik. Në fund ai drejtoi falënderim për të gjithë socialistët që morën pjesë në protestë, por që nuk u bënë pjesë e dhunës, si edhe qytetarët e Tiranës që nuk u përzien me një protestë që ishte paralajmëruar për marrje të pushtetit me dhunë.
Apeli
Presidenti Topi: “Faktorët politikë t’i rikthehen urgjentisht dialogut”
Në një deklaratë për mediat, në përfundim të demonstratës së djeshme, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i bëri thirrje dje faktorit politik shqiptar që t’i rikthehet menjëherë dialogut për rivendosjen e rendit publik. Kreu i shtetit bëri apel që të vendoset qetësia dhe rendi, si dhe të ruhet jo vetëm jeta e qytetarëve, por edhe institucionet shtetërore. Ai kërkoi që politikanët shqiptarë t’i rikthehen dialogut për të ruajtur stabilitetin politik në vend. “Presidenti i Republikës bën thirrje për qetësi dhe maturi! U bën thirrje të gjithë faktorëve politikë që të qetësojnë demonstruesit dhe të garantojnë sa më shpejt të jetë e mundur rikthimin e rendit publik dhe mbështetjen e forcave të policisë, që të garantojnë ruajtjen e rendit, të institucioneve shtetërore dhe në mënyrë të veçantë, qetësinë dhe sigurinë e jetës së qytetarëve. Presidenti Topi u bën thirrje faktorëve politikë t’i rikthehen urgjentisht dialogut dhe të marrin përgjegjësitë politike për ruajtjen e stabilitetit të vendit. Shqipëria ka nevojë të shërojë plagët, jo të hapë plagë të reja!” - shkruhet në deklaratën për shtyp të kreut të shtetit.
Godo: “Rama donte të rrëzonte Berishën, rrëzoi veten”
Politikani Sabri Godo ka komentuar situatën e krijuar nga demonstrata dje në Tiranë. Ai ka hedhur poshtë pretendimin e Ramës që ka qenë policia ajo që provokoi turmën. “Ishte dukshme që nuk qe policia që e provokoi. Turma kishte njerëz dhe kontingjent kriminal që krijuan këtë situatë”, - ka thënë Godo. Por ai nënvizoi se e gjithë kjo që ndodhi është dirigjuar nga Rama, por që në fakt gjithçka iu kthye kundër. “Rama donte të rrëzonte Berishën, por rrëzoi veten”, - ka deklaruar Godo. Të gjithë duhet ta dinë se qytetarët nuk duan trazira, tha Godo. Ai nënvizoi se Rama ka dështuar dhe duhet të japë dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste dhe të bëhet riorganizimi i opozitës. Ai tha se ata që organizuan këtë ngjarje synojnë marrjen e pushtetit. Nga ana tjetër, ai tha se dëmi dhe kostoja e këtyre ngjarjeve duhet të bien vetëm mbi PS-në. “Me ngjarjen e sotme dëmtohet imazhi i Shqipërisë. Dëmton ekonominë, frenon investimet”, - ka deklaruar Godo.
Duke folur për Policinë e Shteti deklaroi se Policia ka duruar mbi 4 orë gjuajtjet me gurë. “Policia jonë ka duruar më shumë se çdo polici në vende të tjera, në raste të tilla. Duhet përshëndetur veprimi i policisë”, - tha Godo.
22 Janar 2011