Rama, apel Kryeprokurores dhe Presidentit që të gjenden vrasësit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në daljen e katërt publike gjatë mbrëmjes së djeshme, i bëri thirrje kryeprokurores Ina Rama dhe presidentit Bamir Topi që të hetohet ngjarja e djeshme dhe të gjenden vrasësit e tre demonstruesve. Ndryshe nga Berisha, i cili tha se personat u vranë nga njerëz brenda demonstratës, Rama tha se plumbat erdhën nga godina e Kuvendit duke hedhur akuza ndaj Policisë së Shtetit. Ai bëri thirrje për nisjen sa më parë të një hetimi të pavarur dhe profesional. Rama gjithashtu kërkoi që të merren pamjet filmike dhe të tregohet që ishin policët ata që provokuan turmën. Kryesocialisti bëri të ditur se sot opozita do të mbajë zi për të rënët, ndërsa në ditët në vijim do të vazhdojnë demonstratat e paqme, deri në rrëzimin e qeverisë.
Apeli
“I bëj apel Presidentit të Republikës dhe prokurores së Përgjithshme të hetohet me pavarësi kushtetuese dhe imtësi profesionale dhe të mos vonohen më hetime për gjëra që populli i ka parë. Mungesa e drejtësisë është ajo që na ka sjellë këtu në këtë ditë”, - është shprehur Rama, ndërsa u tregua i gatshëm të ndiqet penalisht, ashtu sikurse u kërkua dje nga ministri Olldashi. Rama tha se Policia e Shtetit u keqpërdor si në vitin 1997. Ai tha se opozita nuk do të lejojë më të përsëritet ky vit. Më tej kryesocialisti premtoi se opozita “do ta vazhdojë betejën pa dhunë dhe pa armë”.
Akuzat
Duke iu referuar konferencës për shtyp të kryeministrit Berisha, Rama tha se ashtu si gjithmonë, kreu i qeverisë shpifi dhe këtë herë. “Saliu u shfaq përpara popullit si një gangster, si një puçist, si një mafioz, si një përfaqësues i një pushteti të grabitur. Ai shpifi ndyrësisht duke më akuzuar mua dhe opozitën si përgjegjës të krimit të tij të sotëm. Ai shpifi duke shkelur të vdekurit. Skenarin ogurzi e vuri në jetë pushteti i tij i zi. Ai shpifi ndyrësisht dhe dha konkluzione për hetime që s’janë kryer dhe ne disponojmë prova se plumbat erdhën nga godina e Kuvendit”, - tha Rama.
Gjatë ditës së djeshme Rama e akuzoi policinë se ishte ajo që provokoi popullin, i cili, sipas tij, ishte përgatitur për një demonstratë paqësore. “Dua t’u them shqiptarëve se sot, tani, në çdo minutë, ajo që po shfaqet para syve të mbarë opinionit publik dhe mbarë botës që sheh është natyra e vërtetë të këtij pushteti që duhet të largohet. Keqpërdorimi deri në ekstrem i forcës policore të shtetit, i atyre burrave dhe djemve që për një rrogë mizerabël sakrifikojnë në krye të detyrës, është keqpërdorim i pafajshëm dhe mënyra sesi u provokua një demonstratë paqësore dhe sesi u goditën pa zënë ende vend në bulevard demonstrues, të cilët kishin vetëm pankarta në dorë”, - është shprehur Rama. Ai tha se qeveria ka kaluar çdo cak. “Qeveria ka kaluar çdo cak. I bëj thirrje për qetësi, shpreh me forcë se kalimi i kufijve i institucioneve nuk ka të bëjë me vizionin me frymën me qasjen tonë ndaj një problemi të madh të rëndë që ka vendi. Unë kërkoj që i ashtuquajturi kryeministër dhe e ashtuquajtura qeveri e koalicionit të turpit, se sot është më shumë se kurrë momenti për të gjetur rrugën e arsyes”, - është shprehur Rama.
Ngjela: “Nesër të tërë në këmbë!”
Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, ka theksuar se demonstrata do të vijojë edhe në ditët në vijim. Madje, sipas tij, demonstratat do të zhvillohen në të gjitha qytetet e vendit, dhe jo vetëm në Tiranë. Ndërsa situatën e djeshme Ngjela e cilësoi një luftë të rëndë. “Nesër të tërë në këmbë! Kjo është një luftë e rëndë që ne do ta fitojmë patjetër”, - është shprehur Ngjela. “Një masakër e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë”, - theksoi ai. Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela e ka cilësuar një masakër të vërtetë dhunën e ushtruar nga policia mbi protestuesit, duke folur nga Spitali Ushtarak. Sipas tij, demonstruesit janë qëlluar me snajper. “Dhjetëra të plagosur dhe tre të vrarë. Është masakra më e madhe në historinë e Shqipërisë. U them shqiptarëve: të gjithë në këmbë për të respektuar dëshmorët. Nga të katër anët kanë qëlluar me snajperë. Në funeral të gjithë të respektojmë viktimat dhe të ngrihemi në këmbë!” - theksoi Ngjela.
Zogaj: “Të mbahet përgjegjësi për jetët njerëzore”
Preç Zogaj, përfaqësues i Opozitës së Bashkuar, duke folur nga Spitali Ushtarak në Tiranë, është shprehur se duhen marrë masa në mënyrë që të shpëtohen jetë njerëzish të pafajshëm. “Të ndalohet dhuna dhe të gjithë ata zyrtarë që kanë ende koshiencën e detyrës, të vijnë këtu dhe të marrin masa për të shpëtuar jetët e tjera që po ikin. Këtu mjekët po bëjnë çmos dhe i gjithë personeli është i angazhuar, por po vdesin njerëz nga mungesa e mundësive për të dhënë ndihmë”, - deklaroi Preç Zogaj. Më tej Zogaj kërkoi që të mbajnë përgjegjësi ata që kanë përdorur snajperët dhe kanë qëlluar mbi njerëzit e pafajshëm. “Shtetasi Aleks Leka është goditur nga mbrapa në kokë me snajper. Urgjentisht duhet të dalë përgjegjësia nga i pari tek i fundit për ata që kanë përdorur snajperët për të ekzekutuar jetë njerëzore. Duhet të dalin përgjegjësitë. Qeveria të japë dorëheqjen që t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. Nuk ka nevojë për dëshmorë në vitin 2011”, - përfundoi Zogaj.
22 Janar 2011